Në ditën e trembëdhjetë të protestës kundër investimit të planifikuar në Zvërnec të Vlorës, qytetarët dhe aktivistët u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për të marshuar më pas nëpër bulevard drejt Kryeministrisë.
Nga parullat dhe pankartat e tyre, ata vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, largimin e Berishës nga drejtimi i opozitës, hetimin e pasurive të politikanëve dhe duke u shprehur kundër shitjes së pasurive kombëtare.
“Shqipëria e shqiptarëve, jo e tradhtarëve”, “Shqipëri e re”, “Nesër më shumë”, “Pa rini nuk ka Shqipëri” dhe të tjera thirrje u dëgjuan në kor nga protestuesit ndërsa ata marshuan në bulevard.
Në foltoren e ngritur enkas për protestën, përfaqësues të grupit koordinues u bënë thirrje qytetarëve të thërrasin në kor për dorëheqjen e Kryeministrit, duke qenë se ai ndodhej shumë pranë në aktivitetin për 35-vjetorin e themelimit të PS-së në sheshin “Italia”.Përfaqësuesja e grupit koordinues bëri thirrje për bojkotim të të gjithë medieve të shitura, duke kërkuar mirëkuptim për mediet që janë në shesh duke bërë detyrën. “Ata janë pjesë e jona”, tha ajo.
Po ashtu, ajo tha se edhe administrata që mori pjesë në takimin me Ramën nuk e do qeverinë po ndihet e detyruar, duke iu bërë thirrje të bashkohen në protestë.
Koordinatorët e protestës bënë thirrje me megafon që njerëzit të ktheheshin e të mos binin pre e provokimeve.