Një operacion i sofistikuar i spiunazhit kibernetik i lidhur me shërbimet ruse të inteligjencës ka ekspozuar, sipas ekspertëve të sigurisë në Serbi, një bashkërendim shqetësues interesash mes Moskës dhe Beogradit në shënjestrimin e aktorëve pro-evropianë, mediave të pavarura dhe shoqërisë civile.
Në një intervistë për VSquare.org, Srdan Cvijiq, president i Komitetit Këshillimor Ndërkombëtar të Qendrës së Beogradit për Politikat e Sigurisë (BCSP), ka folur për një sulm kibernetik që goditi organizatën e tij dhe që, sipas analizave forenzike, u krye nga dy grupe hakerësh të lidhur me Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) dhe Inteligjencën Ushtarake Ruse (GRU).
Cvijiq tha se rreziku nuk qëndron vetëm te vjedhja e të dhënave, por edhe te përdorimi i tyre përmes inteligjencës artificiale.
Ai argumenton se organizatat e pavarura, gazetarët dhe aktivistët demokratikë në Serbi janë objektiva si të operacioneve ruse të ndikimit, ashtu edhe të fushatave të brendshme të diskreditimit.
“Serbia nuk është vetëm viktimë e ndikimit rus. Ajo shpesh është partnere, përforcuese dhe përfituese e tij. Regjimet në Moskë dhe Beograd shpesh identifikojnë të njëjtët njerëz dhe grupe si armiq: aktorët pro-evropianë, gazetarët e pavarur, shoqërinë civile dhe kundërshtarët e autoritarizmit”, tha Cvijiq.
Ai vlerësoi se regjimi i presidentit Aleksandar Vuçiq mund të intensifikojë fushatat e shpifjes, mbikëqyrjen dhe sulmet dixhitale në prag të proceseve zgjedhore, duke shtuar se Serbia po përballet me një betejë të gjerë për ruajtjen e standardeve demokratike.