Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka deklaruar se respekton të drejtën e fermerëve për të protestuar dhe e kupton shqetësimin e tyre lidhur me ndërprerjen e grumbullimit të qumështit dhe uljen e çmimit të tij, duke theksuar se fermerët nuk janë objekt i procedurave administrative që po zhvillohen në sektorin e qumështit.
Sipas ministrisë, procedurat kanë të bëjnë ekskluzivisht me respektimin e detyrimeve ligjore nga operatorët e biznesit me ushqim dhe nuk cenojnë punën apo kontributin e fermerëve.
MBPZHR njofton se është duke bashkëpunuar me institucionet përgjegjëse dhe përfaqësuesit e sektorit për të siguruar vazhdimin e grumbullimit të qumështit të freskët dhe për të shmangur dëmet ekonomike për fermerët si pasojë e veprimeve apo vendimeve të operatorëve ekonomikë.
Ministria thekson se masat e ndërmarra nuk janë kundër industrisë së përpunimit, por synojnë forcimin e sigurisë ushqimore, mbrojtjen e konsumatorëve dhe krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë operatorët në treg.Ministria bën të ditur se ka forcuar kontrollet zyrtare në kufi dhe në treg, ka intensifikuar analizat laboratorike dhe ka vendosur raportimin e detyrueshëm për lëndët e para që përdoren në sektorin e qumështit. Sipas saj, këto masa zbatohen njësoj për të gjithë operatorët dhe synojnë që produktet të jenë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Në fund, MBPZHR rithekson se procedurat administrative do të vazhdojnë në bazë të ligjit dhe provave, pa u ndikuar nga presionet, ndërsa u bën thirrje operatorëve të sektorit të respektojnë detyrimet ligjore dhe të bashkëpunojnë me institucionet për një zgjidhje që mbron fermerët, konsumatorët, industrinë përpunuese dhe prodhimin vendor.
Përfaqësuesit e qumështores “Vita”, kanë deklaruar ditë parë se, vendimi për pezullimin e përkohshëm të punës është marrë nga vetë kompania dhe jo nga institucionet, ndërsa kanë kërkuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AVUK) që t'i publikojë sa më shpejt rezultatet e analizave të mostrave të marra gjatë kontrollit të fundit.