Protesta masive në Serbi, arrestohen 47 persona
Rajoni
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Protesta masive në Serbi, arrestohen 47 persona
protesta ne serbi
24/05/2026 - 22:47
Linku u kopjua

Mijëra studentë dhe qytetarë nga e gjithë Serbia u mblodhën në Sheshin “Slavija” në Beograd në protestën “Studentët fitojnë”, duke kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, qeverisje të ndershme dhe luftë kundër korrupsionit.

Tubimi u shoqërua me tensione dhe përplasje me policinë, të cilat përfunduan me arrestime dhe të lënduar.

Protestuesit u mblodhën nën slogane si “Zgjedhja është e jona” dhe “Ose Serbia, ose mafia”, duke shprehur pakënaqësi të thellë me situatën politike në vend. Studentët paraqitën një pjesë të programit të tyre politik, duke theksuar kërkesat për liri, drejtësi dhe jetë dinjitoze.

“Në vazhdojmë të luftojmë për të njëjtat kërkesa si gjatë muajve të kaluar. Protestat studentore vazhdojnë dhe ne mbetemi të bashkuar”, thanë përfaqësuesit e studentëve.

Qytetarët e pranishëm shprehën shpresën për një Serbi “normale dhe demokratike, të bazuar në sundimin e ligjit dhe integrim në bashkësinë evropiane”.

Shumë prej tyre e lidhën korrupsionin e përhapur me 14 vitet e qeverisjes së presidentit Aleksandër Vuçiç. Pas përfundimit të tubimit, situata eskaloi në incidente dhe përplasje me forcat e policisë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç, deklaroi se policia ndërhyri pasi u sulmua dhe akuzoi “provokatorë” për përpjekje të qëllimshme për të krijuar kaos. Sipas tij, janë arrestuar 47 persona dhe janë lënduar 17 punonjës të policisë.

Nga ana tjetër, opozita dhe studentët akuzuan pushtetin se ka organizuar provokime me qëllim komprometimin e protestës. Ata raportuan se dhjetëra persona janë rrahur dhe arrestuar, disa prej tyre me lëndime të rënda.

Kjo protestë konsiderohet si një nga më të mëdhatë në fillim të këtij viti dhe vazhdim i lëvizjes studentore e qytetare që nisi pas tragjedisë në Novi Sad në fund të vitit 2024, e cila u shndërrua në një valë të gjerë protestash kundër qeverisjes së presidentit Aleksandar Vuçiq, transmeton RTSH.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk e ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes, ndonëse është në fund të mandatit të tij, pas protestës së studentëve të së shtunës.

Lëvizja studentore në Serbi ka nisur pas një tragjedie në Novi Sad në fund të vitit 2024, ku shembja e një strukture në stacionin hekurudhor shkaktoi vdekjen e 16 personave.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026