Seanca plenare e kësaj të hëne është mbyllur pas miratimit të propozimit të kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, për shtyrjen e raportimeve të institucioneve kushtetuese në seancën e radhës, më 23 korrik.
Propozimi erdhi pasi seanca u ndërpre dy herë për shkak të bllokimit të foltores nga deputetët e opozitës, të cilët kundërshtuan raportimin e Avokatit të Popullit, Endri Shabani.
“Pesë institucionet që janë sot të programuara për të raportuar, të kalojnë në seancën pasardhëse. Kjo ishte konceptuar si një seancë e posaçme raportimesh, por kjo nuk u arrit. Kërkoj që propozimi të hidhet në votim”, u shpreh Balla.
Propozimi u kundërshtua nga kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili kërkoi që Kuvendi të vijonte punimet me institucionet e tjera dhe të përjashtohej vetëm raportimi i Avokatit të Popullit.Pas votimit, Kuvendi miratoi propozimin e Ballës me 76 vota pro dhe 25 kundër, duke vendosur që raportimet dhe projekt-rezolutat të shqyrtohen në seancën plenare të 23 korrikut. Seanca më pas u mbyll.