Dhomat e Specializuara në Hagë kanë ngritur aktakuzë të re të premten ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ai akuzohet edhe për vepra penale që lidhen me pengim të drejtësisë. Për të njëjtat vepra, siç ka njoftuar Specialja, janë arrestuar edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj e Fadil Fazliu. Ndërsa për Hajredin Kuçi është lëshuar fletëthirrje për paraqitje të hënën e ardhshme.
“Në aktakuzë, të akuzuarit akuzohen për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët. Z. Smakaj, z. Fazliu dhe z. Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 6 dhjetor, në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Gjykatësja e Procedurës Paraprake e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kreu arrestimet me mbështetjen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në komunikatën e Dhomave të Specializuara në Hagë.
“Hajredin Kuçit iu dorëzua aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para Gjykatëses së Procedurës Paraprake, në bazë të aktakuzës së konfirmuar, për paraqitjen e parë. Sipas Aktakuzës së konfirmuar, së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë”, thuhet në njoftim.
“Në aktakuzë më tej pretendohet se z. Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me z. Smakaj, me z. Fazliu dhe me z. Kilaj, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me z. Kuçi, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët”, njofton Specialja.“Në përputhje me Rregulloren e Procedurës dhe të Provave të DHSK-së, seancat e paraqitjes së parë për katër nga të akuzuarit në këtë çështje gjyqësore -z. Thaçi, z. Smakaj, z. Fazliu dhe z. Kilaj - janë caktuar për të dielën, 8 dhjetor 2024, duke filluar nga ora 09:30, me paraqitjen e parë të z. Thaçi”, thuhet në fund të njoftimit.
Ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj, ish-këshilltari i presidentit Hashim Thaçi dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Fazliu janë transferuar sot për në Hagë, nga zyret e EULEX-it, ku janë mbajtur nga dita e djeshme.