Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), nuk do të ankohen në Gjykatën Supreme për vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ku aprovohet ankesa e Listës Serbe dhe hidhet poshtë vendimi i KQZ-së e cila kishte vendosur që këtë subjekt të mos e certifikojë për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Anëtari i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi thotë për KosovaPress se nuk do të ankohen në Gjykatë Supreme, pasi mendojnë se do të jetë vendimi i njëjtë sikurse i PZAP-së.
“Ne, dy kolegët që përfaqësojmë Lëvizjen Vetëvendosje në KQZ, kemi vendosur që mos të ankohemi si persona me interes juridik në këtë rast, pasi kemi votuar kundër. Ne mendojmë se edhe një vendim i Gjykatës Supreme do të jetë po kaq formal sikur ky i PZAP-së. Ne kemi parë vendimin e kemi lexuar dhe ai ka marrë parasysh vetëm disa aspekte formale, në kuptimin që njihet në Kosovë që me letra jemi gjithçka jemi në rregull”, thekson Kurteshi.
Kryetari i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Zllatan Ellek, në prezantimin e kandidatëve për deputetë i është referuar Kosovës si “Kosova dhe Metohija”.
Kjo u bë shkak që dy anëtarë të KQZ, nga partia në pushtet - Sami Kurteshi dhe Albin Krasniqi, të kundërshtojnë certifikimin e këtij subjekti në mbledhjen e 23 dhjetorit.
Sipas afateve ligjore, pas përfundimit të afatit për ankesa prej 48 orëve dhe nëse s’ka të tilla, vendimi i PZAP-së bëhet i plotfuqishëm dhe vendimmarrja i kthehet sërish KQZ-së.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...
https://kosovapress.com/cka-pas-moscertifikimit-te-listes-serbe-per-zgjedhjet-e-9-shkurtit