Gjatë ditës së sotme është zhvilluar aksioni i inspektimeve të vendnpunishteve në Kosovë. Aksioni është realizuar nga Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Punës.
Nga ky aksion iu është vendosur shiriti në një punishte në Fushë-Kosovës, raporton KosovaPress.
"Siç e dini jemi në zbatim të vendimit të Ministrit të Punës, zotit Hekuran Murati, dhe mandatit ligjor të Inspektoratit Qendror të Punës. Sot fillon një aksion 15 ditor në shtatë rajone të Kosovës. Ky aksion përveç tjerash është edhe në kuadër të mandatit tonë ligjor", tha Jashari.
Sipas tij, rritja e respektimit të rregullave ligjore është ajo që synohet përmes këtij aksioni."Plani operativ do të zhvillohet në të shtatë regjionet e Republikës së Kosovës. Me 15 ekipe inspektuese, inspektorë të angazhuar në terren 30, i cili do të zgjasë në 14 ditë vijuese të aksionit”, tha Delolli.
E në një vendpunishte në Fushë Kosovë, Inspektorati Qendror i Punës ka gjetur shkelje të kushteve të sigurisë dhe shëndetit në punë.
Sahiti theksoi se kanë vërejtur që masat e sigurisë nuk janë ndërmarrë fare dhe puna që po zhvillohet nuk është e sigurt.
Në këtë situatë, inxhinieri i ndërtimit në një kompani kërkoi nga inspektorët të lejonin vazhdimin e disa punimeve për t'i shmangur dëmet materiale.
“A ka mundësi që me vazhdua (vendosja e pllakës, pasi (nëse ndalohet sot puna) dëmet janë të pa riparueshme?”, tha ai.
“Mbi të gjitha janë shëndeti i punëtorëve, jeta e punëtorëve”, tha Sahiti.
Gjatë kohës së fundit, në vend kanë ndodhur disa vdekje në vendin e punës, kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë.