Presidenca: Ata që sot flasin për “tradhti” dhe “pushkatim” po bëjnë thirrje për dhunë e vrasje politike
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Presidenca: Ata që sot flasin për “tradhti” dhe “pushkatim” po bëjnë thirrje për dhunë e vrasje politike
09/03/2026 - 10:27
Linku u kopjua
Presidenca e Republikës së Kosovës ka dënuar ashpër gjuhën ku bëhet thirrje për pushkatim të presidentes Vjosa Osmani.
Në reagimin e Presidencës thuhet se ata që sot flasin për “tradhti” dhe “pushkatim” dhe shtyjnë përpara shpifjet e konspiracionet, në fakt janë duke bërë thirrje për dhunë e vrasje politike.
KosovaPress merr vesh se ky reagim vjen pas një postimi të Halil Gecit, në rrjetin social Facebook, ku ai shkruan ndër të tjera "Po të ishte në Turqi, do twë pushkatohej."
“Kur në debat politik përdoret fjala ‘pushkatim’, kjo nuk ka të bëjë me kritikë apo opinion, por me një gjuhë të rrezikshme që nxit urrejtje dhe normalizon dhunën politike”, thuhet në reagimin e Presidencës në Facebook, transmeton KosovaPress.
Kosova nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë vend ku aktivistë politikë vetëshpallen gjykatës dhe shpallin dënime me jetë për figura të zgjedhura nga qytetarët. Mentaliteti që prodhon gjuha e tillë është pikërisht mentaliteti që për dekada e ka mbajtur peng debatin publik me etiketime, shpifje dhe linçime.
Presidentja Osmani nuk është “vegël” e askujt dhe as pjesë e fantazive konspirative për kinse tradhti. Ajo është Presidente e Republikës së Kosovës, e zgjedhur në mënyrë legjitime dhe që ushtron mandatin e saj mbi bazën e Kushtetutës.
Ata që sot flasin për “tradhti” dhe “pushkatim” dhe shtyjnë përpara shpifjet e konspiracionet, në fakt janë duke bërë thirrje për dhunë e vrasje politike.
Kosova ka paguar shumë për lirinë e saj që të tolerojë sot gjuhë linçuese ndaj institucioneve të saj. Thirrjet për “pushkatim” nuk janë retorikë politike, por nxitje e drejtpërdrejtë për dhunë dhe krim. Kushdo që mendon se mund ta frikësojë një Presidente me shpifje apo kërcënime të tilla, thjesht po dëshmon se nuk e ka pranuar ende se jetojmë në Republikë demokratike.
Presidenca e Republikës së Kosovës u bën thirrje organeve kompetente të rendit dhe drejtësisë që të merren urgjentisht me këto raste dhe ta trajtojnë në përputhje me ligjin.
/Kosovapress/