Leonit Aliu nga Rezalla e Skenderajt është njëri nga dy të rinjtë kosovarë që e humbën jetën në Shëngjini, të mërkurën. Ai kishte pasion futbollin, dhe fillimisht ishte i angazhuar në klubin FC "Drenica" e më pas në KF "Fushë Kosova".
Ish-trajneri i Aliut në FC "Drenica" e njëkohësisht edhe kushëriri i tij, Lulzim Dërguti e kishte të vështirë të fliste dhe ta kujtonte atë, një ditë pas vdekjes fatale. Mes emocioneve, ai e vlerësoi Leonitin si djalë shumë të mirë dhe të shoqërueshëm që e donte shumë futbollin.
Leoniti ishte vëlla i vetëm i dy motrave, e që sipas kushëririt të tij, ishte mjaft gazmor dhe që sjellte harmoninë më të madhe në ekip.
"I disiplinuar, i disiplinuar, shumë e ka dashtë futbollin. Po, këto katër vite, mbas katër viteve, katër-pesë viteve ka kaluar... ka shkuar me familje në Fushë Kosovë. Prindërit e tij kanë ndenjtë shumë afër, shumë e ka prurë me veturë prej prej Rezallës ose në Skenderaj kanë kaluar... ku ndodhet... kanë banuar në Skenderaj, gjithsesi kanë ndenjtë shumë gati. Bekimi, një... babi... prindi i tij është një prind shumë i përkushtuar ka qenë për Leonitin, po djalë hasreti, domethënë djali i vetëm në familje aty, po edhe me secilin... po po po shumë shumë vështirë e kam edhe me me folë, me biseduar. Sepse dje e kam e kam marrë... dje e kam parë si ka ndodhur rasti në Shëngjin, po sot me mëngjes e pashë si kishte qenë ai me një shok të vet, tjetri i Drenasit, komuna e Drenasit. Çfarë me bë, jeta është e tillë", u shpreh Dërguti.
Ai bëri të ditur se në varrimin e tij do të organizohen si ekip për të shkuar dhe shprehur ngushëllime, pasi që edhe shokët e kanë përjetuar rëndë vdekjen e tij.
Bashkë me Leonitin vdiq edhe Jetmir Binaku, derisa tre shokë të tyre u shpëtuan në gjendje të rëndë.