Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka deklaruar se partia e tij synon të dalë e para në zgjedhjet e 7 qershorit dhe të marrë përgjegjësinë për formimin e institucioneve të reja të vendit.
Në emisionin “Intervista Zgjedhore”, në KosovaPress, Gashi tha se LDK-ja ka ambicie të qartë për të udhëhequr vendin, duke theksuar se çdo rezultat tjetër përveç pozitës së pare, do të ishte vetëm një sukses relativ.
Sipas tij, programi i LDK-së bazohet në zhvillimin ekonomik, ekonominë e tregut të lirë dhe investimin e parasë publike në projekte që nxisin rritjen ekonomike.
Ai tha se LDK-ja synon të krijojë kushte për rritje ekonomike përmes investimeve që gjenerojnë zhvillim afatgjatë dhe rrisin mundësitë për bizneset dhe qytetarët.Duke folur për zgjedhjen e presidentit pas zgjedhjeve, Gashi tha se në rast se LDK-ja udhëheq procesin e krijimit të institucioneve, partia tashmë e ka përcaktuar kandidatin e saj për këtë post. Megjithatë, ai theksoi se nuk do të insistojnë që Vjosa Osmani të bëhet presidente pas zgjedhjeve të 7 qershorit nëse kjo paraqet pengesë për arritjen e marrëveshjeve politike.
Sipas tij, nëse një kandidat është i papranueshëm për partnerët e koalicionit, LDK-ja duhet të tregojë konstruktivitet dhe të mos rrezikojë funksionimin e institucioneve për shkak të preferencave partiake.
“Tash ka njerëz që thonë s’dua të bashkëpunoj me PDK-në e AAK-në, ka njerëz që thonë s’duhet të bashkëpunoj me Vetëvendosjen, unë nuk jam në asnjërën prej këtyre kategorive. Unë nuk shquhem si një urrejtës paraprak i asnjërës prej skemave politike në Kosovë. Unë jam për bashkëpunim me këdo që është e mundur të bashkëpunohet, në bazë të programeve dhe të arsyeshmes në qeverisjen e LDK-së. Unë jam për ta bërë LDK-në parti të parë. Lëvizja Vetëvendosje pas 6 viteve në pushtet duhet të dalë në opozitë. Është më e shëndetshme edhe për demokracinë, edhe për Kosovën, por edhe për Vetëvendosjen. Pra, i duhet një rifillim i ri. Neve na duhet një klasë politike e cila mendon politikisht, në mënyrë pragmatike dhe në mënyrë praktike për zhvillimin e vendit. Nuk jam në kategorinë e njerëzve që mendojnë në mënyrë përjashtuese. Përkundrazi, konsideroj se politikës në Kosovë i duhet të kalojë fazën e fundit të konsolidimit të demokracisë, dhe i takon LDK-së me e marrë përgjegjësinë për ta mbyllur këtë proces, siç i ka mbyllur të gjitha proceset tjera”, potencoi ai.
Ai kritikoi lidershipin e partisë për mënyrën se si ishte pozicionuar në listën zgjedhore, duke thënë se kjo përbënte një distancim politik nga puna e tij si shef i Grupit Parlamentar.
Gashi e cilësoi këtë vendim si gabim politik, duke vlerësuar se pasoja nuk ka pasur vetëm për të personalisht, por edhe për vetë partinë.
Teksti i plotë në sistemin me parapagim.