Mësimdhënës nga e gjithë Kosova për disa muaj janë mbledhur për të ndarë përvoja, ide dhe modele inovative në arsim. Kjo fal organizimit të nismës “Praktika të Suksesshme në Mësimdhënie dhe Nxënie”, organizuar nga Akademia Dukagjini.
Gjatë ceremonisë përmbyllëse u theksua se nisma përfshiu trajnime, prezantime dhe 13 sesione të ndarjes së praktikave, duke u shndërruar në një platformë bashkëpunimi ndërmjet mësimdhënësve nga të gjitha komunat.
“Praktikat që keni prezantuar gjatë tërë këtyre muajve nuk do të mbesin vetëm në këtë sallë ato do të botohen dhe do të shpërndahen në të gjitha shkollat e Kosovës në mënyrë që të shërbejnë si model, si frymëzim si udhërrëfyes i tyre praktik në punën e tyre të përditshme”, u shpreh Muhaxhiri.
Mësimdhënësja Donjetë Latifaj ndau përvojën e saj, duke vlerësuar ndikimin profesional dhe personal të pjesëmarrjes në këtë program.Ndërkaq, mësimdhënësi Hajriz Tahiri foli për rëndësinë e ndryshimeve në arsimin kosovar dhe rolin e bashkëpunimit në avancimin e tij.
“Historia e arsimit në Kosovë nuk është thjesht një rrëfim për viteve të kaluara, është një histori e sakrificës, qëndresës dhe besimit të palëkundur në të ardhmen tonë. Ishte koha kur drita e dijes u tentua të shuhej, por u mbajt gjallë shpresa e palëkundur e një populli, i cili me zemër dhe me shpirt rrezoi themelet e një arsimi. Ndryshimi erdhi. Por ndryshimi më i vlefshëm në këtë histori nuk ishin vetëm shkollat dhe përvoja tona akademike, ndryshimi erdhi në mendjen tonë kolektive, nga frika në guxim, nga heshtja në zë, nga mungesa e mundësive në krijimin e tyre. Sot sfida jonë nuk është të kemi shkolla sepse shkollat i kemi. Sot nuk është sfida jonë të kemi të diplomuar, por njerëz të diplomuar, njerëz kreativë me besim dhe vizion për të ndryshuar sistemin arsimor të Kosovës“,tha Tahiri.
Në përmbyllje, organizatorët ndanë certifikata për pjesëmarrësit që prezantuan praktikat e tyre të suksesshme, duke theksuar se ndikimi i kësaj nisme do të vazhdojë përmes zbatimit të praktikave në shkollat e vendit dhe shndërrimit të saj në një traditë të qëndrueshme në arsimin kosovar.