Posta e Kosovës organizoi sot ceremoninë e lansimit të emisionit të pullave postare kushtuar 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ceremonia u mbajt në objektin qendror të Postës së Kosovës në Prishtinë, në praninë e përfaqësuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës, Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe mysafirëve të tjerë të ftuar.
Kryeshefja ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci, theksoi se një pullë postare është shumë më tepër se një element filatelik.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi pullën postare si një simbol të miqësisë dhe partneritetit të qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai theksoi se, përtej shënimit të jubileut të rëndësishëm amerikan, kjo pullë përfaqëson afirmimin e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe vlerësimin për mbështetjen vendimtare që SHBA-ja i ka dhënë Kosovës në proceset shtetndërtuese, konsolidimin e institucioneve demokratike, sigurinë dhe zhvillimin e vendit.Në emër të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, zëvendësshefja e misionit, Anu Prattipati, falënderoi Postën e Kosovës për këtë nismë, duke e cilësuar atë një nder për popullin amerikan.
“Pranimimi i kësaj pulle nga Kosova sot përbën një nder për ne. Çdo shkronjë e cila gjendet aty përcjell një histori të lirisë dhe miqësisë mes nesh. Postës së Kosovës dua t’ju them se keni krijuar diçka që do të qëndrojë për shumë mot. Vite pas ditës së sotme, njerëzit, qytetarët do e shikojnë këtë pullë postare dhe do ta kujtojnë që Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar së bashku për liri. Si Amerikë, ndërsa po shënon 250-vjetorin e pavarësisë, ne e shpërfaqim mirënjohjen për aleatët tanë siç është Kosova, një komb i cili e kupton vlerën e sovranitetit, demokracisë dhe bashkëpunimit të qëndrueshëm. Në emër të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe popullit amerikan, ju falënderoj shumë për këtë nder dhe për miqësinë tuaj”, tha Prattipari.