Zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës po shihen si një faktor që mund të ndikojë në procesin e krijimit të institucioneve të reja, veçanërisht në zgjedhjen e presidentit të Republikës.
Pavarësisht takimit mbi dy orësh ndërmjet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, mbetet e hapur çështja nëse Abdixhiku do t’i ketë pas vetes të gjithë 18 deputetët e grupit parlamentar të kësaj partie në procesin e zgjedhjes së presidentit.
Në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se zhvillimet brenda LDK-së mund të ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e zgjedhjes së presidentit, duke ngritur pikëpyetje për unitetin e deputetëve të kësaj partie.
Deputeti i zgjedhur i LVV-së, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se deputetët e LDK-së nuk janë plotësisht homogjenë sa i përket qëndrimeve për krijimin e institucioneve.Sekretari i LDK-së, Ilir Ferati, ka thënë se vendimet politike për diskutimet me LVV-në janë përcaktuar në organet e partisë para takimit me Kurtin.
Ndërkohë, analisti politik Blerim Canaj vlerëson se, pavarësisht qëndrimit zyrtar të LDK-së, kryetari i kësaj partie nuk i ka të sigurta të gjitha votat e grupit parlamentar për një proces të rëndësishëm siç është zgjedhja e presidentit.
Këto takime erdhën pasi KQZ-së certifikoi rezultatin e zgjedhjeve më 8 korrik. Nga këto zgjedhje, parti e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje me 47.13%, apo 53 ulëse në Kuvend. E dyta, Partia Demokratike e Kosovës, me 19.44%, apo 22 deputetë. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, me 16.69%, ka fituar 18 ulëse, si dhe Aleanca, me 6.74%, shtatë ulëse. Kurse komunitetet joshumicë kanë siguruar 20 ulëse.