Partitë politike janë të ndara për zgjedhjen e ndonjë kandidati konsensual për president të vendit. Derisa kanë mbetur edhe dy ditë afat kushtetues për zgjedhjen e shefit të shtetit, në LVV nuk e përjashtojnë mundësinë që të dalin me ndonjë kandidat konsensual nëse PDK dhe LDK nuk ofrojnë të tillë. Megjithatë, në PDK thonë se çështja e presidentit për ta vazhdon të jetë e mbyllur, ndërkaq në AAK thonë se nëse ofrohet ndonjë kandidat unifikues do ta shqyrtojnë në organet partiake.
Lëvizja Vetëvendosje të shtunën ka ftuar dy partitë më të mëdha opozitare, Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, që të dalin me tre emra të përbashkët, jopartiakë dhe unifikues, për president deri të dielën në mbrëmje. Mirëpo, nga PDK dje thanë se nuk do të propozojnë asnjë emër, kurse në LDK theksuan se nëse ka marrëveshje politike mund ta propozojnë edhe ish-presidenten, Vjosa Osmani.
Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, thotë për KosovaPress, se kjo parti e konsideron çështjen e presidentit si të mbyllur.
Sipas tij, qëndrimi i PDK-së mbetet ai i përcaktuar nga Këshilli Drejtues dhe nuk pritet të ketë ndryshime në këtë fazë.Megjithatë, ajo ka lënë të hapur mundësinë që një kandidat konsensual të shqyrtohet në strukturat e partisë, duke shtuar se aktualisht nuk sheh gatishmëri për një figurë të tillë përtej emrave politikë.
Kuvendi ka afat kushtetues të zgjedhë presidentin deri më 28 prill, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të reja më së largu deri më 7 qershor.