Normalizim i krimit në intervistë: Moderatorja serbe e përshkruan masakrën e Prekazit si "likuidim", thekson edhe vrasjen fëmijëve
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Normalizim i krimit në intervistë: Moderatorja serbe e përshkruan masakrën e Prekazit si "likuidim", thekson edhe vrasjen fëmijëve
Intervista Kurir 900x600
15/07/2026 - 10:27
Linku u kopjua

Deklarata fashiste e ministres serbe, Snezhana Paunoviq, për spastrim etnik në Kosovë, u dënua në Kosovë, rajon e në BE. Por, gjatë intervistës së saj për Kuririn serb, pati edhe një moment tjetër ku normalizohej krimi.

Ishte moderatorja e emisionit, e cila, teksa intervistonte ministren serbe, e cila gjatë paraqitjes së saj tha se po të ishte në vend të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”, e përshkroi masakrën e Prekazit si “likuidim” ndërkohë që përmendi edhe të miturit, transmeton KosovaPress.

Gjatë intervistës ajo deklaroi:

“…nga ana tjetër, si pikë referimi merret edhe aksioni i policisë serbe në fshatin Prekaz i Poshtëm në vitin 1998, kur policia serbe likuidoi jo vetëm udhëheqësin e UÇK-së, Adem Jasharin, por edhe tërë familjen e tij, përfshirë të mitur dhe gra. Mbi 50 anëtarë të familjes Jashari humbën jetën.”

Duke përdorur termin "likuidoi" për ngjarjen e Prekazit ajo u mundua ta relativizojë sulmin në Prekaz si neutral ose operacional të një veprimi policor, ndërkohë që në aty u vranë dhjetëra civilë, përfshirë gra dhe fëmijë.

Vetë moderatorja pranon në deklaratën e saj se mes viktimave kishte të mitur dhe gra, çka e bën edhe më të diskutueshëm përdorimin e një gjuhe që shmang karakterizimin e ngjarjes si masakër ndaj civilëve.

Për shumëkënd, një formulim i tillë rrezikon të relativizojë përgjegjësinë për vrasjen e anëtarëve të familjes Jashari, ndërsa intervista zhvillohej me një ministre serbe që kishte artikuluar qëndrime të ashpra ndaj Kosovës.

Masakra e Prekazit mbetet një nga ngjarjet më të rënda të luftës në Kosovë dhe një simbol i rezistencës, ku u vranë mbi 50 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar. Përdorimi i termave të tillë në raportimin e ngjarjeve të tilla vazhdon të jetë objekt debati për shkak të ndikimit që ka në mënyrën se si kuptohet dhe interpretohet historia.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026