Rritja e numrit të mediave në Kosovë, po ndikon edhe në përhapjen e lajmeve të rreme. Shkrimi dhe publikimi i artikujve apo përmbajtjeve të rreme po konsiderohet se po bëhet për të përfituar në aspekte të ndryshme, qoftë për klikim apo edhe rritje të numrit të audiencës.
Ndaj dezinformatës, keqinformimit, propagandës dhe deep fake janë të ekspozuar edhe komuniteti jo-shumicë. Ata tregojnë se vazhdimisht hasin nëpër artikuj të pa vërtetë, teksa eksplorojnë në media dhe rrjete sociale.
Diskutimet rreth këtyre përmbajtjeve, u bënë në kuadër të projektit “Edukimi Medial për nxënësit e komuniteteve jo shumicë në Kosovë”, ku morën pjesë rreth 20 nxënës bashkë me mësimdhënësit e tyre të shkollave të mesme në Shtime.
Patriot Ilazi nga komuniteti ashkali, nxënës në klasën XI në shkollën mesme të lartë “Instituti i Aftësimit dhe Arsimit Profesional” në Shtime, thotë se çdoherë e më shumë po krijohen mundësi të reja për të përhapur lajme të rreme. Ai potencon një dezinformatë që ka lexuar kohëve të fundit, ku thuhej se një vajzë në Shtime, kishte therë me thikë babanë e saj, porse tregon se një media tjetër ka raportuar se ky informacion ishte i pavërtetë.
Ilazi potencoi se ka mësuar gjëra të reja nga trajnimi për edukimin mediatik dhe se tani e tutje, do të ketë më shumë kujdes në vërtetësinë e lajmeve.
“Për lajmet fake e di që kohëve të fundit, po bëhen shumë lajme të rrejshme, për shkak se tani janë mundësitë, mund të gënjejnë më lehtë. Për shembull në rrjetin social Facebook ka shumë platforma të lajmeve dhe aty po bëjnë shumë lajme fake, të cilat po na imponojnë trurin për të besuar. Kohët e fundit ka dalë një lajm se në Shtime një vajzë e ka ther babanë e vet, por për këtë jemi informuar nga (një media tjetër) që është fake. Se kanë shkuar e kanë pyetur babin e asaj vajzës dhe ai ka thënë se ‘nuk kam asgjë’. Pastaj, truri më është imponuar që mos t’iu besoj (të gjitha) lajmeve. Prej asaj ditës, lajmeve shumë rrallë iu besoj. Nëse e shoh një lajm në një platformë, hyj edhe në platformat e tjera a janë të ngjashme, nëse nuk ka ndonjë ndryshim i besoj…Trajnimi më ka pëlqyer sepse kam marrë njohuri të reja për mediat, si ta gjejmë se po na imponojnë (lajmet e rreme), disa gjëra që nuk i kam ditur për mediat”, tha Ilazi.
Po ashtu, edhe nxënësi në gjimnazin “Naim Frashëri” Behar Osmani nga po i njëjti komunitet tregon se para pak ditësh ka lexuar një lajm se nga 1 qershori, çmimi i bukës do të ulet në 25 centë.
Përveç kësaj, ai tha se në rrjete sociale ka parë një video deep fake, në të cilën shfaqet futbollisti Cristiano Ronaldo, duke folur në gjuhën shqipe. Osmani tha se përpara trajnimeve rreth edukimit mediatik, u ka besuar gjithçka që iu është ekspozuar në media, porse tani e tutje do të jetë më i kujdesshëm.
“Një lajm fake që e kam lexuar është se prej 1 qershorit çmimi i bukës do të jetë 25 centë. Ndërsa një lajm (video) tjetër që e kam parë pak më herët ishte Cristiano Ronaldo duke folur shqip, që e kanë përmes inteligjencës artificiale. Prej këtij trajnimi që kemi marrë informacione rreth mediave, se çfarë janë ato, për gjëra të reja që nuk e kemi ditur më herët… Më herët kanë shkruar lloje të ndryshme të lajmeve, shpesh iu kemi besuar dhe ne në moshën e adoleshencës që jemi dhe kemi thënë ‘Çfarë paska ndodhur këtu”, tha Osmani.
Numri më i madh i lajmeve të rreme në media sipas nxënësit Ismail Emrushi ka qenë gjatë pandemisë me koronavirus. Sipas tij, në atë kohë, mediat dezinformonin, duke rritur numrin e të prekurve dhe vdekurve nga ky virus. Emrushi u shpreh se ka pasur nevojë për mbajtjen e një trajnimi të tillë, në të cilën mësuan shumëçka rreth vërtetësisë së lajmeve.
“Për lajmet fake që janë prej COVID-19, pastaj 2020, 2021, kur është përhapur në vitin 2019. Kur është përhapur COVID në vitin 2020 nuk ka pasur shumë numër të caktuar, që është rritur numri (i të prekurve me COVID). Por, kur u përhap më së shumti dhe ka pasur raste që kanë vdekur, mediat e kanë rritur më shumë (numrin) për të përhapur më shumë…Kur e kam lexuar një lajm te një media aty shkruante ndryshe, te një media tjetër ndryshe. Rrjeteve sociale, nuk duhet besuar shumë… Më rastis të shoh shumë lajme fake, por nuk iu besoj shumë gjërave…Trajnimi më ka pëlqyer shumë, kam pasur nevojë për këtë trajnim lidhur me mediat”, tha Emrushi.
Ndërkaq, profesori i gjuhës angleze në shkollën e mesme “Instituti i Aftësimit dhe Arsimit Profesional” në Shtime, Haki Hysenaj tha se qëllimi i përhapjes së lajmeve të rreme, është përfitimi i mediave. Ai tregon raste kur titulli në lajme nuk përkon me përmbajtjen e tij.
Hysenaj tregon se shfaqen artikuj me tituj në të cilët shkruan se “Kryeministri i Kosovës ka dhënë dorëheqje”, porse kur futet brenda tekstit, përmbajtja është krejt diçka tjetër.
Ndër të tjera, Hysenaj potencoi se trajnime të tilla janë të nevojshme për komunitetin jo shumicë.
“Lajmet në bazë të asaj që i shohim besojmë se janë lajme të vërteta, por nëse e analizojmë burimin nga vjen dhe në bazë të asaj që e shohim në brendësinë e lajmit, mund ta kuptojmë nëse është lajm i rremë apo i vërtetë. Zakonisht lajmet e rreme apo dezinformatat bëhen me një qëllim të vetëm, ta bindin publikun se ai lajm është i vërtetë…Te keqinformimi bëhen për të rritur shikueshmërinë apo klikimet që i bëhen asaj medies. Zakonisht mediat e shkruara kanë më shumë keqinformim, te mediat publike apo televizione janë më të rralla…Rasti i Rita Orës është fotografuar me tenistin Gjokoviq, ndërsa realiteti ka qenë krejt ndryshe, nuk kanë qenë më një ulëse, kanë qenë në kënde të ndryshme që i kanë bërë fotografinë. Në atë kënd shihen shumë afër njëri-tjetrit, mirëpo në realitet ka qenë ndryshme…Ka lajme të tjera ku thonë se ‘kryeministri i Kosovës ka dhënë dorëheqje’ ndërsa në realitet del diçka tjetër…Besoj që këto komunitete kanë nevojë të dinë më shumë për mediat, si funksionojnë ato, dallimet e lajmeve të vërteta dhe fake. Për këtë arsye, ky trajnim është shumë i suksesshëm dhe i mirëseardhur”, theksoi Hysenaj.
Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për komunitetet jo-shumicë në Kosovë”, mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë./Z.Zeneli/