Turneu ndërkombëtar "FIP Bronze Prishtina", i mbajtur në qendrën më të re sportive "Terra Padel Society", ka kurorëzuar kampionët e tij në një atmosferë emocionuese.
Në kategorinë e femrave, dyshja Viktoria Kurz dhe Natividad Lopez Diaz treguan një nivel të lartë loje, duke rrëmbyer titullin pas një rrugëtimi mjaft sfidues.
"Gjithmonë është e vështirë, pasi niveli këtu është ekstremisht i lartë. Kurrë nuk hyn në një turne duke e ditur paraprakisht se do të fitosh. Erdhëm me dëshirën për të fituar dhe mendoj se filluam si favorite, por jemi fatlume që ia dolëm, sepse ndeshjet gjysmëfinale ishin vërtet shumë të vështira," deklaruan Kurz dhe Lopez Diaz.
I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe Kryetari i Federatës së Padelit të Kosovës, Besim Shulemaja, i cili vlerësoi lart organizimin dhe shpalosi planet e ardhshme të federatës, me fokus te përfaqësimi ndërkombëtar dhe projektet afatgjata.Në konkurrencën e meshkujve, fitues u shpallën lojtarët nga Holanda, Julian Prins dhe Youp de Kroon. Për ta, ky sukses në Prishtinë erdhi pas një turneu të ngjeshur ndërkombëtar dhe vlerësuan lart mikpritjen dhe nivelin e garës në qendrën e sapohapur.
"Ndjehemi shumë mirë. Javët e fundit i kemi kaluar në Azi dhe erdhëm këtu direkt nga Singapori. Në këtë turne patëm pesë ndeshje mjaft të mira radhazi dhe është ndjenjë e mrekullueshme të fitosh një kampionat me një nivel të tillë konkurrence," përfunduan fituesit holandezë.