Me këngë e lutje fetare ka përfunduar festa e serbëve në Gazemistan. Qindra serbë nga Kosova u mblodhën në shënimin e festës së ashtuquajtur “Vidovdan”.
Si shkak I mbledhjes së serbëve në Gazimestan, i cili ndodhet afër Obiliqit, u krijuan kolona të gjata në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë.
Sipas zyrtarëve policorë në terren, situata ka qenë e qetë.
Data 28 qershor shënon zhvillimin e Betejës së Kosovës, ku koalicioni i ushtrive të popujve të Ballkanit pësoi humbje nga Perandoria Osmane. Pas kësaj humbjeje, popujt e Ballkanit u pushtuan nga otomanët ose u detyruan të bëhen vasal të sulltanit. Princërit shqiptarë vazhduan të luftojnë e më i shquari ndër ta ishte Skënderbeu. Serbia u bë pjesë e Perandorisë Osmane.Por, Perandoria Otomane kishte resurse të ngrinte një ushtri të re, për kohë më të shkurtër. Popujt e Ballkanit nuk kishin mundësi të merrnin veten shpejtë dhe shumica prej tyre përfundimisht ranë nën sundimin Otoman.
Nuk ka shumë të dhëna për Betejën e Kosovës e madje shumica e këtyre të dhënave janë kontradiktore me njëra tjetrën.
Ndonëse beteja përshkruhet si betejë mes serbëve dhe turqëve apo mes të krishterëve dhe myslimanëve, faktet thonë krejt të kundërtën.
Në anën tjetër ishte një koalicion i princave të popujve të Ballkanit, ndër ta edhe shumë princa shqiptarë.
Dihet se në betejë është vrarë Princi Llazar, por nuk dihet për rrethanat në të cilat është vrarë. Princi tjetër serb, Vuk Brankoviq, duke parë se beteja nuk mund të fitohej dhe duke ditur se duhej të shpëtonte sa më shumë ushtarë që të mundet, u tërhoq nga beteja. Në tregimet serbe, Brankoviq cilësohet si tradhtar dhe tradhtia e tij si shkas për vdekjen e Princit Lazar.
I biri i Muratit I, Bajaziti I, u bë sulltan dhe e vazhdoi edhe për një kohë fushatën e zgjerimit të pushtimit otoman në Ballkan, por më 1403 u mund afër Ankarasë nga trupat mongole të Timurlengut.
Kjo u dha mundësi zotërinjve shqiptarë që të forcojnë pozitat e tyre. Në këtë kohë dalin në skenë familjet si Balshajt, Dukagjinët e Zahariajt në Shqipërinë e Veriut; Kastriotët, Topiajt, Arianitët, Muzakajt e Gropajt në Shqipërinë Qendrore; Shpatajt, Zenebishët në Shqipërinë e Jugut.