Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar të martën se SHBA-ja do ta zgjasë për një afat të pacaktuar armëpushimin me Iranin, një ditë para se ai të skadonte, ndërsa raundi i ri i bisedimeve të paqes mbetet i pezulluar.
Pakistani kishte planifikuar të organizonte një raund të dytë negociatash, por Shtëpia e Bardhë e anuloi vizitën e planifikuar të zëvendëspresidentit JD Vance në Islamabad, pasi Irani refuzoi përpjekjet për rifillimin e dialogut. Deri më tani, Teherani nuk ka reaguar ndaj njoftimit për zgjatjen e armëpushimit.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, e ka cilësuar veprimin e SHBA-së si shkelje të armëpushimit, duke thënë se “goditja e një anijeje tregtare dhe marrja peng e ekuipazhit përbën një shkelje edhe më të rëndë”, raporton AP, përcjell KosovaPress.
Sipas autoriteteve, që nga fillimi i luftës, të paktën 3,375 persona janë vrarë në Iran. Në Liban, luftimet kanë shkaktuar mbi 2,290 viktima. Ndërkohë, 23 persona kanë humbur jetën në Izrael dhe më shumë se një duzinë në shtetet arabe të Gjirit. Po ashtu, janë vrarë 15 ushtarë izraelitë në Liban dhe 13 pjesëtarë të forcave amerikane në rajon.