Kandidatja për deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se ky subjekt politik po hyn në zgjedhjet e 7 qershorit me një platformë që, sipas saj, synon t’i japë fund krizave dhe ta largojë nga pushteti Lëvizjen Vetëvendosje.
Në “Intervista Zgjedhore” në KosovaPress, ajo tha se programi i PDK-së është ndërtuar mbi nevojat reale të qytetarëve dhe parasheh rritje pagash, lehtësira fiskale dhe rikthim të zhvillimit ekonomik.
Në ditën hapëse të fushatës zgjedhore për votimet e 7 qershorit, Deliu-Kodra theksoi se PDK-ja synon formimin e qeverisë së re bashkë me partitë e ish-opozitës, konkretisht LDK-në dhe AAK-në, derisa u shpreh optimiste se në këtë formë do të gjendet dhe zgjidhja për presidentin.
“Partia Demokratike e Kosovës pret të ketë rritje në këto zgjedhje. Ne jemi në terren dhe shohim nevojën e njerëzve që të përqafojnë një program që bazohet në nevojat reale që i kanë njerëzit. Qytetarët janë të lodhur prej propagandës dhe polarizimit...Ne synojmë që të rritemi dhe jemi në garë që të krijojmë qeverinë e re bashkë me partitë e ish-opozitës, duke qartësuar pozicionin ku synojmë t’i japim Kosovës një drejtim të ri...39:22 Ne presim që do të kemi rritje në numra ish-opozita dhe rritja në numra do t’ia pamundësojë pushtetin Albin Kurti. Ne presim që me rezultatet e sotme të ketë rënie në numra. Ne nuk kemi qenë bllokues për presidentin”, shtoi ajo.“Jam e bindur se sikur të ishte Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerët në Kosovë rezultati ynë zgjedhor do të ishte ndryshe. Ne nderojmë kudo, madhështinë e burrave që i kanë dhënë Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimit të saj. Fillimisht në organizimin e protestave të para ku kanë qenë të dënuar në mungesë. Kanë qenë pjesë e shtet-ndërtimit, në luftën e UÇK-së, ku në moshë të re kanë kapur pushkën për t’i dalë zot vendit. Kanë dhënë provimin për shtetin e Kosovës edhe në Rambuje dhe Vjenë e shpalljen e pavarësisë së Kosovës, fuqizimin e shtetit me autostrada dhe shkolla”, deklaroi kandidatja për deputete e PDK-së.
Ajo komentoi edhe mbështetjen që Fatmir Limaj i Nisma-s i dha PDK-së, pavarësisht se nuk u përfshi në listë për zgjedhjet e 7 qershorit.
Në anën tjetër, Deliu-Kodra foli edhe për fotografinë e kryetarit të komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcit që vjen nga PDK-ja, me Martin Berishajn, ambasadorin e Kosovës në Kroaci, të cilin kjo parti jo pak herë e ka akuzuar për mafinë energjetike.
“Mendoj se zotëri Lladrovci e ka sqaruar në fotografinë e tij se për çka bëhej fjalë. Fjala ishte për raportet e mëhershme të Martin Berishajt me zotërin Lladrovci, po flas për një periudhë të mëhershme me Fehmi Lladrovci. Megjithatë, as fotografia e cila është postuar dhe asnjë fotografi me ndonjë zyrtar të PDK-së që nuk lidhet me zhvillimet e fundit nuk e largon nga pesha dhe barra e rëndë e përgjegjësisë penale që zotëri Martin Berishaj ia ka bërë dëmin miliona euro që i ka bërë Kosovës”, përfundoi Deliu-Kodra./KosovaPress/