PDK kërkon nga Feride Rushiti të tërheq kandidaturën për presidente
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
PDK kërkon nga Feride Rushiti të tërheq kandidaturën për presidente
28/04/2026 - 13:39
Linku u kopjua
Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 14:00 për zgjedhjen e presidentit.
Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se nuk do të marrin pjesë në këtë maskaradë, siç e quajti, të rrezikshme politike. Ajo i bëri thirrje kandidates për presidente, Feride Rushiti, që të tërhiqet nga gara, derisa paralajmëroi edhe protesta.
“T’i ndërpresë këto veprime karatesë të dhunës politike. Ky nuk është kuvend i karatesë, por institucion i të zgjedhurve të popullit. Po ashtu, nga zemra i bëj thirrje zonjës së nderuar Feride Rushiti që të tërhiqet nga kjo lojë politike antikushtetuese e Albin Kurtit, e cila është e dëmshme për shtetin dhe atë vetë. Sinqerisht më vjen keq që ka pranuar të huazojë emrin e saj për një maskaradë të rrezikshme politike. Si PDK e çmojmë angazhimin e saj në shoqëri civile, por sot më e rëndësishmja që mund t’i bëjë vetes dhe nderi më i madh që mund t’i bëjë vetit është të largohet nga kjo garë. Kushtetuta, ligjet dhe rregullorja nuk mund të interpretohen sipas interesit ditor politik”, tha ajo në një konferencë për media.
Mazhoranca dje nisi procedurat për zgjedhjen e presidentit, ku Feride Rushiti mori 64 vota. Me këtë rast, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e ndërpreu seancën për ta vazhduar sot në orën 10:00, por ajo u shty sërish për në orën 14:00, siç tha Haxhiu, për të marrë pjesë opozita në seancë.
Sipas Çitakut, Kurti me vetëdije të plotë po e shkel Kushtetutën dhe po bëhet rrezik për themelet e shtetit.
Ajo shtoi se Kurti po dëshiron të vendoset mbi Kushtetutën dhe ligjet, andaj siç theksoi “këtë nuk do ta lejojnë së bashku me qytetarët”.
“Kur një kryeministër, lider politik zgjedh me vetëdije të plotë të shkel Kushtetutën për pushtet të përkohshëm, ai bëhet rrezik për vetë themelet e shtetit. Këto veprime janë sinjale të qarta se pushteti po vendoset mbi Kushtetutën dhe ligjet. Këtë nuk do ta lejojmë dhe këtë së bashku me qytetarët do ta ndalojmë”, deklaroi Çitaku.