Samir Shahini bën të ditur se mandati i tij si drejtor i Arsimit në Komunën e Prishtinës ka përfunduar.
Përmes një postimi, ai ka thënë se ky vendim është marrë nga i pari i kryeqytetit, Përparim Rama, raporton KosovaPress.
Drejtori i deritanishëm i Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini ka thënë se ka sfiduar mënyra të vjetra të funksionimit, ku në vijim ka numëruar edhe punët e deritanishme.
Ndërsa, dje është shkarkuar Sokol Havolli, drejtor i Investimeve Kapitale në këtë komunë.Ky është postimi i plotë i Samir Shahinit:
Me vendim të Kryetarit të Kryeqytetit, mandati im si Drejtor i Arsimit përfundon këtu.
- Kemi vendosur standarde më të larta për mësimdhënie,
- kemi finalizuar renovime në 14 shkolla, duke hapur edhe objektin e ri të shkollës 7 Shtatori, dhe çerdhen e re në lagjen Dardania,
- kemi filluar adaptimin e objektit të shkollës Avni Rustemi në Suteskë të Mramorit si çerdhen e parë në Gollak,
- kemi shpërndarë mbi 300 tabela digjitale në dhjetëra shkolla për më pak se 1 vit,
- kemi filluar Ligen e Shkollave për djem, e këtë vit edhe për vajza,
- kemi kërkuar matje reale të dijes, dhe kemi shtyrë përpara përgjegjësinë në çdo nivel - nga drejtori te klasa.
Këto asnjë nuk janë procese të lehta. Por janë të domosdoshme.Dhe mbi të gjitha, jam mirënjohës për ju që nuk keni zgjedhur rrugën më të lehtë, por atë që i shërben më së miri nxënësit.
Ndryshimi në arsim nuk vjen nga vendimet e një dite. Vjen nga qëndrueshmëria në procese. Nga guximi për të mos u kthyer mbrapa.
Sepse në fund, nuk është çështje mandati. Është çështje e së ardhmes së fëmijëve tanë.
Samir Shahini