Subjektet politike vazhdojnë sot aktivitetet në kuadër të ditës së dytë të fushatës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës, duke organizuar tubime elektorale në disa komuna të vendit.
Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë tubim në Istog nga ora 17:00 dhe në Pejë nga ora 19:30. Në hapjen zyrtare të fushatës, kryetari i partisë dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, prezantoi prioritetet programore, duke premtuar investime miliardëshe në Brezovicë, Rugovë dhe Bjeshkët e Nemuna, rritje të shpenzimeve kapitale në vlerë prej një miliard eurosh, si dhe investime në prodhimtari dhe mbrojtje, përfshirë krijimin e fabrikës së dronëve dhe municioneve.
Partia Demokratike e Kosovës do të mbajë tubime në Gjakovë (ora 18:00) dhe në Pejë (19:30). Kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, në tubimin hapës të fushatës prezantoi programin e tij politik, duke premtuar ulje të çmimeve, rritje të pagave dhe pensioneve, si dhe investime në ekonomi, energji dhe shëndetësi. Ai kritikoi qeverinë aktuale për stagnim ekonomik, social dhe politik. Tubimit hapës iu bashkua edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme po mbahen pas krizës institucionale të shkaktuar nga dështimi për zgjedhjen e presidentit brenda afatit kushtetues, çka çoi vendin në një proces të ri zgjedhor.
Ndërkohë, organizata Demokracia në Veprim (DnV) ka bërë të ditur se rreth 550 vëzhgues do të jenë të angazhuar në monitorimin e procesit zgjedhor në gjithë territorin e Kosovës.