Organizatori i Panairit të Librit në Prishtinë, Edon Zeneli, tha se edicioni i 26-të ka mbledhur mbi 60 ekspozues dhe rreth 75 deri në 80 botues nga Kosova, Shqipëria dhe rajoni.
Në një prononcim për Kosovapress, Zeneli u shpreh se Panairi i Librit në Prishtinë, së bashku me atë të Tiranës, mbeten dy ngjarjet kryesore të librit në hapësirën shqiptare.
Ai tha se në panair janë të përfaqësuar qindra autorë me veprat e tyre, ndërsa gjatë pesë ditëve do të organizohen mbi 40 promovime librash dhe dhjetëra aktivitete të tjera.
“Shtëpitë botuese kanë sjellë qindra autorë dhe tituj të ndryshëm. Përveç mbi 40 promovimeve, autorët do të takohen nga afër me lexuesit në stenda të ndryshme. Të gjitha aktivitetet kanë për qëllim nxitjen e leximit dhe promovimin e librit”, u shpreh Zeneli.Në një prononcim për Kosovapress, Petro tha se organizatorët tashmë kanë krijuar përvojë të mjaftueshme në organizimin e panairit, por sipas saj mbetet e nevojshëm krijimi i një hapësire më moderne dhe me kushte më të mira për librin.
“Ka vite që bëhet panairi i Prishtinës, kështu që organizatorët patjetër që kanë një eksperiencë. I vetmi problem është që duhet një godinë më e mirë, më moderne, me kushte më të mira dhe një hapësirë më e madhe për librin. Libri e meriton një paraqitje më dinjitoze. Panairet janë festa të librit. Nuk është problemi vetëm se sa libra shesin botuesit, por takimet e autorëve me lexuesit dhe sugjerimet që ata japin. Shpesh ne si botues i dëgjojmë këto sugjerime dhe ato ndikojnë edhe në botimet tona”, u shpreh ajo.
Ndëesa një qytetar I cili kishte ardhur në Panairin e Librit, Fatmir Krasniqi, tha për Kosovapress se panairi për të është një festë e veçantë e lexuesve dhe e dijes, të cilën e viziton rregullisht që nga organizimi i edicioneve të para.
Krasniqi bëri thirrje që institucionet të krijojnë një hapësirë të posaçme dhe të përhershme për organizimin e Panairit të Librit në Prishtinë.
Ndërsa Qerim Kadiri nga Rahoveci e vlerësoi organizimin e panairit, duke thënë se edhe këtë vit ai është në nivel. Kadiri tha se më së shumti preferon libra që trajtojnë ngjarje nga e kaluara si dhe romane dhe novela të ndryshme.
Leximi është shumë i rëndësishëm. Të rinjtë duhet të lexojnë më shumë dhe t’i lënë pak anash telefonat. Leximi e freskon trurin dhe ndikon pozitivisht edhe në shëndet”, u shpreh Kadiri.
Musa Dollari nga Prishtina e vlerësoi lart organizimin e Panairit të Librit në Prishtinë, duke thënë se edicioni i sivjetëm po zhvillohet në kushte të mira dhe me pjesëmarrje të madhe të botuesve.