Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti tha pas takimit me kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin se nuk kemi ndonjë konkluzion a të arritur, por shtoi se është optimist për rrugën përpara.
Ai tha se sa i përket marrëveshjeve dhe konstituimit të institucioneve, është tepër herët të flitet qoftë për sukses apo për dështim, raporton KosovaPress.
I pyetur nga gazetarë se a u gjet gjuhë të përbashkët për presidentin, Kurti tha se është diskutuar edhe për presidentin, por nuk dha ndonjë hollësi për ecurinë e bisedimeve në këtë pikë.
“Kemi diskutuar edhe për qeverinë, edhe për kuvendin, kemi diskutuar edhe për presidentin për shkak se tash po koincidojnë në të njëjtën kohë. Por po e ritheksoj edhe një herë që fokusi ynë kanë qenë më shumë zhvillimet aktuale politike, orari i konstituimit të institucioneve dhe zhvillimet të cilat po ndodhin në Kosovë në dritën e këtij rezultati që kemi pasur. Ne jemi të interesuar për marrëveshje. Jemi të interesuar që mos të kemi sërish zgjedhje. E kemi thënë edhe më herët që mbajtja e zgjedhjeve është veçse rimbajtje e zgjedhjeve që çon në përafërsisht ripërsëritje të rezultatit, andaj synimi ynë i përbashkët është që t'i evitojmë zgjedhjet e reja. Ekziston një gatishmëri e interesim e vullnet për këtë gjë. Por natyrisht ky është vetëm se kushti i domosdoshëm, por jo edhe i mjaftueshëm për të thënë që kemi kurorëzuar me sukses. Marrëveshja që e synojmë ne, natyrisht që është marrëveshje politike, sepse ne jemi subjekte politike, dhe marrëveshjen politike ne e shohim si suplement funksional të vullnetit të popullit përkatësisht të rezultatit të zgjedhjeve.“Ne besojmë që fryma dhe germa e kushtetutës është për president që është shprehje e unitetit të popullit, dhe që në këtë kuptim duhet të jetë konsensual sepse jemi të interesuar që gjithashtu ta kemi numrin maksimal të mundshëm të deputetëve që do të qëndrojnë në sallë. Sepse, ju e keni parasysh, ne mund të zgjedhim ndonjë emër të përveçëm, e kishim së fundmi Glauk Konjufcën, më pastaj edhe doktoreshën Feride Rushiti, por numri 80 që është minimumi, është vështirë i arritshëm. Prandaj përqendrimi ynë nuk ka qenë tash për emrat e përveçëm për president, po për koncepte e për parime, për vizionin përpara në njërën anë, dhe në anën tjetër a thua se çfarë duhet të bëjmë strategjikisht që ta maksimizojmë numrin e deputetëve të cilët duhet t'i kalojnë ose së paku të jenë dy të tretat në ditën vendimtare kur do të vihet çështja e presidentit, përkatësisht zgjedhjes së presidentit në radhë”, tha Kurti.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, tha se është tepër herët për të folur për çfarëdo suksesi apo dështimi të këtyre takimeve.