Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dega në Pejë, ka reaguar ashpër ndaj fyerjeve të bëra publikisht ndaj ish-komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, dhe familjes së tij, përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale.
Në reagimin e saj, OVL-UÇK vlerëson se këto deklarata tejkalojnë çdo kufi të pranueshëm njerëzor, duke i cilësuar jo vetëm si sulme personale, por si goditje të drejtpërdrejta ndaj figurave që, sipas tyre, përfaqësojnë sakrificën, qëndresën dhe idealin e lirisë në Kosovë.
OVL-UÇK thekson se gjuha e urrejtjes dhe retorika përçarëse nuk janë të rastësishme, por, sipas tyre, janë kultivuar ndër vite nga diskursi politik, duke krijuar një klimë të tensionuar dhe të papranueshme në shoqëri.
Tutje, organizata kritikon institucionet për mungesë reagimi, duke paralajmëruar se mosveprimi mund të interpretohet si legjitimim i fyerjeve dhe sulmeve ndaj figurave të luftës.OVL-UÇK, dega në Pejë, i ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të trajtojnë me seriozitet maksimal rastin dhe të ndërmarrin masa ligjore ndaj personit përgjegjës, duke përfshirë edhe paraburgimin.
Sipas tyre, çdo lehtësim i mundshëm do të ishte goditje për rendin publik dhe fyerje shtesë për dinjitetin e familjes së sulmuar.