Optimistë përballë gjigantëve, Kosova synon surprizën në Ligën Evropiane të volejbollit
Sport
Lexohet për: 5 min.
Dëgjoje me zë...
Optimistë përballë gjigantëve, Kosova synon surprizën në Ligën Evropiane të volejbollit
Velijbolli-190526
19/05/2026 - 14:54
Linku u kopjua

Kombëtarja e Kosovës në volejboll për meshkuj ka nisur përgatitjet intensive në Ferizaj, përpara ndeshjeve të rëndësishme në kuadër të Ligës Evropiane. Me një atmosferë optimiste dhe motivim të lartë, ekipi po punon për të ndërtuar një skuadër konkurruese për të ardhmen, pavarësisht se është ndër më të rejat në moshë në këtë garë.

Duke folur për KosovaPress, trajneri i Darko Prebiracevic foli për kushtet e ofruara nga Federata e Volejbollit, duke i cilësuar ato si ideale për një përgatitje sa më të mirë. Ai ka shpjeguar se Liga Evropiane këtë vit ka një koncept të ri, duke shërbyer edhe si kualifikuese për “EuroVolley”.

Kosova do të marrë pjesë në tre turne, fillimisht në Letoni ku do të përballet me vendasit dhe Rumaninë, pastaj në Estoni, për ta mbyllur ciklin me turneun e tretë që do të mbahet në Kosovë.

“Këtë vit po luajmë në Ligën Evropiane. Ky është një koncept i ri i garave të CEV-it. Liga Evropiane në të njëjtën kohë shërben edhe si kualifikim për EuroVolley. Këtë verë do të luajmë në tri turne. Turneu i parë është në Letoni, siç e përmendët. Do të luajmë kundër Letonisë dhe Rumanisë. Pastaj shkojmë në Estoni dhe turneu i tretë do të mbahet këtu në Kosovë, gjë që është shumë e mirë. Dy ndeshjet e para, siç thatë, janë kundër Letonisë dhe Rumanisë”, theksoi Prebiracevic

Prebiracevic shtoi se në këto ndeshje Kosova do të hyjë me dëshirë të madhe për të fituar.

“Sigurisht, nuk do të hyjmë në asnjë ndeshje pa objektiv dhe pa dëshirën për të fituar. Tani, për çfarë do të jemi të aftë, nuk e di në këtë moment, por ajo që jam i sigurt është se do të japim 100% dhe do të përpiqemi të luajmë sa më mirë të jetë e mundur. Letoninë e njohim nga sezoni i kaluar. Kemi luajtur kundër tyre dhe kemi bërë një ndeshje shumë të mirë. Ishte një lojë mjaft e barabartë. Pra, mund të themi se i njohim dhe ndaj tyre do të jemi më të përgatitur sesa ndaj Rumanisë. Rumania ka një ekip të mirë, me disa lojtarë të rinj që luajnë nëpër Evropë me ekipe shumë të mira, kështu që do të shohim”, vijoi tutje Prebiracevic.

Të njëjtin optimizëm e ndajnë edhe volejbollistët. Ata konfirmojnë se atmosfera në kamp është jashtëzakonisht pozitive dhe se motivimi është në kulm.

Ermal Maliqi theksoi se Letonia dhe Rumania janë kundërshtarë shumë të fortë, por se Kosova do të luajë ndaj tyre me synimin për të marrë rezultate pozitive.

“Mendoj që për rezultat, jemi shumë optimist, sepse është hera e dytë që ndeshemi me Letoninë, ndërsa për Rumaninë është një kundërshtar që nuk kemi ndeshur asnjëherë me të, por jemi shumë optimist për të pasur paraqitje sa më të mira... Në Kosovë ka shumë talenta dhe ka shumë djem të rinj, veçse është përgjegjësi pak e ekipeve që duhet punuar pak me djem të rinj edhe është shumë mirë që po organizohet kombëtarja e Kosovës në nivelin e seniorëve, që me u dhënë djemve të rinj mundësia që me u paraqit sa më mirë edhe me u motivuar për të ardhmen e volejbollit”, deklaroi Maliqi.

Kurse volejbollisti tjetër, Adriatik Berisha, u shpreh se grupi i lojtarëve është tejet i motivuar, sidomos pas rezultateve të mira e të arritura vitin e kaluar.

“Normalisht, po mundohemi me u përgatit. Jemi shumë të motivuar edhe prej rezultateve që i kemi pasur edhe lojërave të mira edhe vitin e kaluar, edhe para vitit të kaluar, edhe normalisht po presim me bërë lojë shumë të mirë...Rumania dhe Estonia janë njëra prej dy kombëtareve më të mira në Evropë. Ndoshta jo më të mirat, por në mesin e më të mirave janë. Edhe fitorja është normalisht e vështirë, po gjithsesi mendoj se do të arrijmë me bërë lojë të mirë, pasi që e kemi marrë një eksperiencë edhe nga dy vitet e kaluara në këto, në këto lloj garash, edhe mendoj se do të paraqitemi shumë mirë”, tha Berisha.

Përfaqësuesja e Kosovës po hyn në këtë garë me një vizion të qartë, duke balancuar nevojën për rezultate të menjëhershme me objektivin afatgjatë të ndërtimit të një ekipi të qëndrueshëm. Ndeshjet e ardhshme do të jenë një test i rëndësishëm për këtë gjeneratë të re, e cila synon të lërë gjurmë në skenën evropiane të volejbollit.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026