Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë thirrje për veprime urgjente nga institucionet e Kosovës për përfshirjen e vendit në projektet rajonale të gazit natyror, duke e cilësuar këtë si të domosdoshme për sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
OEK përmes një komunikate për media ka paralajmëruar se refuzimi ose mosangazhimi në projektet e gazit amerikan mund të ndikojë negativisht në partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe në pozicionimin e Kosovës në zhvillimet energjetike rajonale, transmeton KosovaPress.
Në këtë drejtim, Oda Ekonomike e Kosovës i ka bërë thirrje institucioneve që të intensifikojnë dialogun me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, për të siguruar përfshirjen aktive të Kosovës në projektet energjetike të së ardhmes.
“OEK rikujton se ka kërkuar edhe më herët veprime urgjente në këtë drejtim, duke theksuar se diversifikimi i burimeve të energjisë dhe zhvillimi i infrastrukturës së gazit janë thelbësore për sigurinë e furnizimit dhe rritjen ekonomike të vendit”, thuhet po aty.