Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimin lidhur me orientimin e politikave energjetike të Qeverisë në detyrë, duke vlerësuar se prioritetet e prezantuara nuk adresojnë në mënyrë të duhur nevojën e vendit për të rritur kapacitetet vendore të prodhimit të energjisë elektrike dhe për të zvogëluar varësinë nga importet.
Sipas një deklarate të Odës Amerikane, çështja strategjike nuk është nëse Kosova mund të importojë energji elektrike nga vendet fqinje, por nëse duhet të vazhdojë të mbështetet në importin e energjisë si produkt i gatshëm apo të investojë në ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese brenda vendit, të cilat do të forconin sigurinë energjetike, konkurrueshmërinë ekonomike dhe pavarësinë strategjike.
Në deklaratë thuhet se përfshirja e Kosovës në infrastrukturën rajonale të gazit natyror të lëngshëm (LNG) amerikan përbën alternativën më të shpejtë dhe ekonomikisht më të favorshme për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese. Oda rikujton se studimet e mbështetura nga Korpusi i Inxhinierëve i Ushtrisë së SHBA-së, në kuadër të programit të Korporatës së Sfidave të Mileniumit (MCC), kanë identifikuar interkoneksionin e gazit përmes Maqedonisë së Veriut si opsionin më të favorshëm për furnizimin e Kosovës me gaz natyror.
Sipas Odës Amerikane, kapacitetet gjeneruese me bazë LNG mund të ndërtohen brenda dy deri në tre vjet dhe kanë gjasa më të mëdha të financohen nga institucionet financiare ndërkombëtare sesa projektet e reja me bazë qymyri. Gjithashtu, theksohet se LNG nuk është alternativë ndaj burimeve të ripërtëritshme, por teknologji që mundëson integrimin më të madh të energjisë nga era dhe dielli në sistemin elektroenergjetik.Në përfundim, Oda Amerikane rithekson se politikat energjetike duhet të maten jo vetëm me koston fillestare të investimit, por me aftësinë për të garantuar furnizim të sigurt, çmime të parashikueshme dhe rritje të prodhimit vendor të energjisë elektrike, duke theksuar se Kosova nuk duhet ta humbasë mundësinë për t'u përfshirë në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane.