OBSH paralajmëron: Evropa do të përballet me ‘javë më vdekjeprurëse’ të të nxehtit
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
OBSH paralajmëron: Evropa do të përballet me ‘javë më vdekjeprurëse’ të të nxehtit
udhetime vera
07/07/2026 - 13:42
Linku u kopjua

Një tjetër valë e të nxehtit intensive po formohet mbi Atlantik, për çka Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi se mund të bëjë që Evropa të përballet me “javë vdekjeprurëse” të të nxehtit.

Ndërsa temperaturat në Portugali dhe jug të Spanjës pritet të arrijnë deri në 43 gradë Celsius në ditët në vijim, drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, zhvilloi të hënën një takim urgjent virtual me përfaqësues të 41 vendeve të rajonit, Komisionit Evropian dhe organizatave të shoqërisë civile për të analizuar mësimet e nxjerra nga vala e fundit e të nxehtit dhe përgatitjet për temperaturat e larta që priten.

Sipas Kluge, vendet që kanë hartuar plane veprimi për mbrojtjen e shëndetit nga temperaturat ekstreme reaguan më shpejt dhe arritën të mbrojnë më mirë qytetarët gjatë valës së të nxehtit në fund të muajit qershor. Megjithatë, ai theksoi se më pak se gjysma e shteteve anëtare të OBSH-së në Evropë kanë plane të tilla në fuqi.

Ekspertët e klimës kanë vlerësuar se vala e të nxehtit e periudhës 20–28 qershor ishte më e rënda e regjistruar ndonjëherë në Evropë, duke shkaktuar ndërprerje në prodhimin e energjisë, dëmtime në infrastrukturë dhe mbingarkesë të sistemeve shëndetësore.

Sipas shkencëtarëve, temperaturat ekstreme ishin pothuajse me siguri pasojë e ndryshimeve klimatike. Vetëm në Francë, Holandë dhe Belgjikë janë regjistruar rreth 3.700 vdekje shtesë, ndërsa autoritetet theksojnë se bëhet fjalë për të dhëna paraprake që mund të rriten.

Kluge paralajmëroi se grupet më të cenueshme, si banorët e shtëpive të kujdesit, personat e pastrehë dhe të moshuarit që jetojnë të izoluar, vazhdojnë të mos marrin mbështetjen e nevojshme në shumë vende evropiane.

“Puna tani zhvillohet në dy drejtime: të korrigjohen mangësitë e evidentuara gjatë javëve të fundit përpara se të godasë vala e ardhshme e të nxehtit dhe të ndërtohen sisteme shëndetësore që jo vetëm reagojnë ndaj temperaturave ekstreme, por janë të përgatitura për to”, deklaroi Kluge.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026