Hamza: Pres formim të shpejtë të institucioneve, votuesit thanë: Na lodhët, boll!
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 5 min.
Dëgjoje me zë...
Hamza: Pres formim të shpejtë të institucioneve, votuesit thanë: Na lodhët, boll!
hamza 12345
08/06/2026 - 15:56
Linku u kopjua

Zgjedhjet nuk ishin të barabarta dhe se u përdor paraja publike, tha kryetari i PDK-së Bedri Hamza, në konferencën për media një ditë pas zgjedhjeve, duke i uruar të gjitha partitë për rezultatet.

Hamza tha që kanë pritur më shumë rezultat.

"Unë i uroj të gjitha partitë politike që kanë qenë në garë për rezultatin. Ka qenë një proces në vazhdën e disa proceseve zgjedhore. Për Partinë Demokratike të Kosovës, rezultati është ky që është. Sigurisht se kemi pritur më shumë, kemi mundur më shumë. Nëse i referohemi vendeve në Kuvend unë pres që numri i deputetëve të jetë pak më i madh sesa që ka qenë në mandatin paraprak. Megjithatë, ne po presim përfundimin e procesit zgjedhor, numërimin e të gjitha votave dhe të shohim se ku po dalim si parti politike...

Zgjedhjet kanë qenë të lira, mirëpo nuk kanë qenë të drejta dhe kanë qenë të pabarabarta. Kanë qenë të pabarabarta për shkak se është përdorur paraja publike, e cila sigurisht ka ndikuar edhe në rezultat", tha Hamza.

Kreu i PDK-së theksoi se pret themelim të shpejtë të institucioneve.

 "Unë pres që të ketë një formim të shpejtë të institucioneve të Kosovës, duke përfshirë të gjitha nivelet: edhe Kuvendin, edhe qeverinë, edhe presidentin dhe të kemi një përmbyllje të këtij cikli e t'i kthehemi punës. Përndryshe, 200 mijë vota më pak po e thjeshtësojnë këtë që na kanë thënë votuesit: "Na keni lodhë. Boll", potencoi ai.

Hamza tha se në katër komunat e vendit kanë pasur humbjen më të madhe të votave.

"Nëse e shikojmë me kujdes rezultatin zgjedhor del që në katër komuna ka qenë humbja më e madhe. Edhe për më keq, në katër komuna Partia Demokratike e Kosovës qeveris në nivel lokal. Vota më së shumti kemi kemi humbur si votë, jo si përqindje, kemi humbur në Skenderaj, në Drenas, në Prizren dhe në Ferizaj. Domethënë, këto janë katër komuna që është humbja më e madhe e votës për Partinë Demokratike të Kosovës. Ne jemi duke i bërë të gjitha analizat e nevojshme. Unë e thashë, as fshihem mbrapa përgjegjësisë, as nuk nxitona në vendime, as nuk vonona në vendime. Ë do të kemi analizë të mirëfilltë dhe do t'i adresojmë saktë shkaktarët pse Partia Demokratike e Kosovës nuk ka arritur me mobilizuar elektoratin e vet", vijoi ai.

Ai bëri të ditur se PDK-ja do të kalojë në dy procese të rëndësishme, së pari do të shkojë në zgjedhje të brendshme këtë vit, ku gara do të jetë e hapur në të gjitha nivelet, përfshirë këtu edhe kryetarin dhe më pas presin një vendim lirues për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, sepse, sipas tij, nëse merret një vendim ndryshe nuk ekziston liria.

"Si parti politike, si Parti Demokratike, ne jemi duke pritur dy procese tranzitore. Ekziston një vendim i Këshillit Drejtues që Partia Demokratike e Kosovës shkon në zgjedhje të brendshme këtë vit. Dhe ky proces ka filluar, ky proces do të vazhdojë dhe do të përfundojë në mënyrë të përgatitur, në mënyrë serioze dhe do të mbyllet ky cikël zgjedhor i brendshëm. Unë si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, që jam zgjedhur nga Kuvendi para disa muajve, sigurisht se jam në mandat të plotë për katër vjet, po megjithatë në këtë proces zgjedhor gara do të jetë e hapur për të gjitha nivelet, prej nëndegëve, degëve, për Kuvendin, për Këshillin Drejtues dhe për kryetar. Domethënë, edhe pozita ime si kryetar do të jetë një garë e hapur dhe do të garojnë ata që mendojnë që duhet me qenë pjesë e garës për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës. Dhe procesi i dytë, që është edhe më i rëndësishëm, ne për pak javë e presim një vendim, që është vendimi në Gjykatën e Hagës, që ka të bëjë me liderët tanë dhe liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-presidentin Thaçi, kryetarin Veseli, kryetarin Krasniqi, Rexhën dhe presim që të jetë një vendim lirues. Përndryshe, kishte me qenë vështirë me i thënë drejtësi kësaj pune. Nuk ka asnjë arsye tjetër që vendimi mos të jetë lirues dhe kthimi i tyre, kthimi i tyre në familjet e tyre, në Kosovë, por edhe për Partinë Demokratike të Kosovës do të jetë një ndryshim shumë i madh", u shpreh Hamza.

Në këto zgjedhje të parakohshme, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, PDK ka marrë 21.13% ose 147 mijë e 325 vota.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026