Objekti i shkollës së parë shqipe në Prishtinë në pritje të restaurimit
Tema
Lexohet për: 3 min.
Objekti
1 orë më parë
Linku u kopjua

Dikur shërbente si institucion arsimor që numëronte mbi 200 nxënës, sot objekti i shkollës së parë shqipe në Prishtinë po konsiderohet rrezik për kalimtarët.

Në pritje të restaurimit, objekti është rrethuar nga skelet dhe si i tillë po paraqet pengesë për kalimtarët që i bien rrugës së qendrës historike të kryeqytetit.

Objekti ndodhet në një gjendje të tillë tash e disa vjet, ani pse është pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme nga shteti.

Lidhur me këtë proces, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit thotë për KosovaPress se janë në fazën e prokurimit dhe se punimet restauruese do të nisin “sapo të zgjidhet kompania fituese”.

“Për vetëm tri vjet e gjysmë janë restauruar asete, më shumë se në dekadën 2010-2020, pothuajse nuk ka Komunë ku nuk kemi investuar në asete te trashëgimisë kulturore. Sa i përket shkollës së parë shqipe, procesi është në fazë të prokurimit dhe sapo të zgjidhët kompania fituese, nisin punimet restauruese, faza e parë e konservimit”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga MKRS.

Përveç këtij objekti, i rrethuar me skele është edhe ai i shtëpisë së Musli Hoxhës, gjithashtu në qendër të Prishtinës.

Sipas drejtorit të sigurisë dhe emergjencës në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, skelet e vendosura përreth e pengojnë qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve, gjithashtu paraqesin rrezik për qytetarët.

Të njëjtin mendim e paraqet edhe arkeologu nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Qazim Namani.

Ndërsa, eksperti në trashëgiminë monumentale, Ylber Vokshi në një përgjigje me shkrim thotë se “është mëkat se si po trajtohen monumentet kulturore në Prishtinë që nga pas lufta”.

Në Prishtinë ka edhe objekte të tjera të trashëgimisë kulturore, të cilat nuk janë në mbrojtje të MKRS-së dhe po paraqesin rrezik edhe për vetë banorët.

E bija e pronarit të shtëpisë së Herticëve, Azemine Aliu është shprehur se familja e saj ka shpenzuar 50 mijë euro për të ruajtur objektin që dikur ishte shkollë për qytetarët e Kosovës.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Në Kosovë, trashëgimia kulturore mbrohet me ligj. Dëmtimi i saj dënohet me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

MKRS-ja ka theksuar se në kryeqytet janë duke u realizuar edhe punime konservuese-restauruese në shtëpi banimi Hynileret, Sali Safqi dhe Kurtesh Sylemani. Edhe punime të intervenimit emergjent, në monumentet: Rezidenca e Presidentit Dr. Ibrahim Rugova, Muzeun Kombëtar të  Kosovës dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Dhjetëra objekte të trashëgimisë kulturore në Kosovë janë përballur më dëmtim.

Në Listën e Trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme përfshihen asete arkeologjike dhe arkitekturore.

Shteti ka më shumë se 1.500 asete me rëndësi për trashëgiminë kulturore.

Ndërkaq në mbrojtje të përhershme në Kosovën që vazhdon të mbetet jashtë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulture - UNESCO, janë Patriarkana e Pejës, Manastiri i Deçanit, ai i Graçanicës, Xhamia e Sinan Pashës dhe Kalaja e Prizrenit./A.Shala

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024