Policia e Kosovës ka bërë të ditur se manifestimet e mbajtura të dielën me rastin e Vidovdanit kanë përfunduar pa incidente që do të ndikonin në situatën e sigurisë, ndërsa 37 persona janë shoqëruar në stacion policor për intervistim pas thirrjeve provokuese me elemente të nxitjes së urrejtjes.
Sipas njoftimit të Policisë, për mbarëvajtjen e aktiviteteve janë ndërmarrë me kohë masa planifikuese dhe operative për menaxhimin e situatës së sigurisë, ruajtjen e rendit publik, orientimin e trafikut rrugor dhe menaxhimin kufitar.
Policia njofton se, bazuar në raportimet nga njësitet e angazhuara në terren, nuk është evidentuar asnjë rast që ka ndikuar në mbarëvajtjen e manifestimeve, përveç shoqërimit të 37 personave në stacion policor për intervistim, pasi ata, sipas Policisë, provokuan pjesëmarrësit me thirrje provokuese që përmbanin elemente të nxitjes së urrejtjes, në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Po ashtu, një person është gjobitur për prishje të rendit dhe qetësisë publike.Policia bën të ditur se pas përfundimit të aktiviteteve në orët e pasdites, të gjithë pjesëmarrësit janë shpërndarë të qetë.
Në fund, Policia e Kosovës falënderoi qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, duke ritheksuar përkushtimin për garantimin e rendit, sigurisë dhe zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës në funksion të krijimit të një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët.