Numërim i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikim i rezultateve të subjekteve politike në 38 komuna
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Numërim i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikim i rezultateve të subjekteve politike në 38 komuna
Numerimi22222222
08/06/2026 - 18:14
Linku u kopjua

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se pas përfundimit të procesit të votimit në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, gjatë ditëve në vijim do të zhvillohen aktivitete në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike do të realizohet në QKN-të në të gjitha komunat e vendit.

“Pas përfundimit të procesit të votimit, në 2,498 vendvotime të rregullta është përmbyllur numërimi i votave të subjekteve politike dhe pas përfundimit të numërimit dhe procedurave të tjera, materialet zgjedhore nga 949 Qendra të Votimit janë tërhequr dhe dërguar në 38 QKN. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve të subjekteve politike të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës bëhet në vendvotim, pasi të përfundojë procesi i votimit, ndërkaq, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë bëhet në Qendra Komunale të Numërimit. Përveç numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, në këto qendra, sipas Rregullores Zgjedhore të KQZ-së për Qendrat Komunale të Numërimit, do të bëhet edhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët që janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve. Ky proces, i njëjtë do të bëhet në 38 Qendra Komunale të Numërimit, në të cilat do të punohet me dy orare. Sipas vendimit të KQZ-së, në këto qendra do të angazhohen më shumë se 2,200 anëtarë, në kuadër të 508 ekipeve të numërimit, të cilët përfaqësojnë subjekte të ndryshme politike pjesëmarrëse në proces zgjedhor“, tregoi Elezi.

KQZ ka njoftuar se paraditen e së hënës procesi ka nisur në QKN-të e Leposaviqit, Novobërdës, Obiliqit, Shtimes, Shtërpcës, Zubin Potokut, Zveçanit, Junikut, Mamushës, Hanit të Elezit, Graçanicës, Ranillugut, Parteshit, Kllokotit dhe Mitrovicës së Veriut. Ndërkaq, gjatë pasdites aktivitetet do të fillojnë edhe në 23 komuna të tjera të vendit.

Lidhur me aktivitetet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, Elezi paraqiti të dhëna preliminare për votimin me kusht, votimin e personave me nevoja të veçanta dhe votimin jashtë Kosovës.

“Ndërkaq, lidhur me aktivitetet në QNR, u bë e ditur se KQZ, përveç organizimit të votimit në 2,498 vendvotime të rregullta, ka mundësuar:

• votimin me kusht në 38 qendra votimi me 52 vendvotime;

• votimin jashtë vendvotimeve përmes ekipeve mobile votuesit me nevoja të veçanta dhe

• votimin jashtë Kosovës në përfaqësitë diplomatike dhe përmes postës.

Sipas të dhënave preliminare, nga 52 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem 8,751 votues të regjistruar për të votuar me kusht, kurse në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta ishin të regjistruar 3,144 votues. Nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi në 30 përfaqësi diplomatike, nga 27,724 shtetasit e regjistruar, kanë votuar 22,414 prej tyre apo 80.85%. Ndërkaq, nga votimi përmes postës, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar është 104,480 votues. Nga ky lloj votimi, KQZ ende nuk ka të dhënat përfundimtare për numrin e pakove me fletëvotime pasi ende nuk ka përfunduar tërheqja e tyre nga kutitë postare. Sipas të dhënave preliminare, deri në orën 16:00 (e hënë, 8 qershor 2026) nga 20 kutitë postare në Berlin (41,561); Bern (23,356); Tiranë (9); Budapest (73); Shkup (63); Pragë (46); Stamboll (179); Zagreb (210); Hagë (238); Paris (3,470); Stokholm (4,633); Podgoricë (128); Ljubljana (891); Londër (1,383); Prishtinë (2,005); Oslo (654); Vjenë (2,570); Bruksel (1,195); Kopenhagë (348); Romë (1,820) – janë tërhequr 84,832 pako të supozuara me fletëvotime. “, tha Elezi.

Ai shtoi se para se të nisë numërimi i votave me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe i votave nga jashtë Kosovës, KQZ-ja do të skanojë listat e votuesve për të kontrolluar nëse ka pasur votim të dyfishtë.

Po ashtu, do të verifikojë fletëvotimet e ardhura me postë për të siguruar që janë dërguar nga votues të regjistruar.  Dhe në fund pas përfundimit të këtyre verifikimeve, mund të fillojë numërimi i këtyre votave.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026