Përzgjedhësi i Norvegjisë, Stale Solbakken, ka deklaruar se dueli mes Erling Haaland dhe Harry Kane mund të jetë vendimtar në përballjen çerekfinale të Kupës së Botës ndaj Anglisë, e cila zhvillohet të sonte.
Norvegjia ka arritur për herë të parë në çerekfinale të një Kampionati Botëror që nga rikthimi i saj në këtë garë pas 28 vjetësh, falë paraqitjeve të shkëlqyera të Erling Haaland. Sulmuesi ka realizuar shtatë gola në katër ndeshjet e para të turneut, ndërsa Anglia mbështetet te Harry Kane, i cili ka shënuar gjashtë gola në këtë Botëror, duke e çuar në 14 numrin total të golave në Kupat e Botës.
“Mendoj se është Norvegjia kundër Anglisë, por nuk është sekret që Kane është fituesi kryesor i ndeshjeve për Anglinë dhe Haaland është fituesi kryesor i ndeshjeve për ne”, deklaroi Solbakken.
Ai vlerësoi gjithashtu rrugëtimin historik të Norvegjisë në këtë turne, duke kujtuar se skuadra ka kaluar çdo pritshmëri, përfshirë edhe fitoren 2-1 ndaj Brazilit në fazën e 1/8 së finales, falë dy golave të vonshëm të Haaland.Sipas Solbakken, presioni është më i madh mbi Anglinë, edhe pse edhe Norvegjia kërkon të japë maksimumin në fushë.
“Mendoj se Anglia ka më shumë presion se ne, por edhe ne i bëjmë presion vetes për paraqitjen. Kur ndeshja fillon, nuk besoj se lojtarët mendojnë shumë për presionin kur janë njëmbëdhjetë kundër njëmbëdhjetë”, tha ai.
Ndeshja në Miami pritet të zhvillohet në temperatura shumë të larta, pasi autoritetet amerikane kanë lëshuar paralajmërim për vapë ekstreme, me temperaturën e ndjeshme që pritet të kalojë 40 gradë Celsius.
“Kemi stërvitur shumë lehtë. Nuk kemi bërë shumë punë të rëndë. Kemi zhvilluar seanca taktike, por me ritëm më të ulët dhe jo për periudha të gjata. Gjithçka ka të bëjë me të qenit të freskët për nesër. Të dyja kombëtaret duhet të mësohen me të njëjtat kushte", përfundoi Solbakken”, tha ai.
Ndeshja Norvegji – Angli zhvillohet sonte, me fillim nga ora 23:00. Dueli do të luhet në stadiumin “Hard Rock Stadium” në Miami, Florida.