Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, gjenerali i Forcave Ajrore amerikane, Alexus G. Grynkewich, tha se Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) gradualisht do të përshtatë forcën për mbështetjen e misionit të saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, gjatë vitit të ardhshëm, për shkak të, siç tha ai, përmirësimit të situatës së sigurisë në vend.
“NATO dhe KFOR-i janë të përkushtuar për sigurinë në Kosovë”, tha komandanti Grynkewich përmes një njoftimi më 12 qershor. “Është ky angazhim që ka çuar në rritjen e stabilitetit, teksa organizatat e sigurisë në Kosovë janë bërë më të afta. Kushtet aktuale ofrojnë mundësi për të optimizuar madhësinë dhe pozicionimin e KFOR-it”, shtoi ai.
Një zëdhënës nga Selia Supreme e Forcave Aleate në Evropë tha për Radion Evropa e Lirë se kjo çështje “nuk ka të bëjë me numrat [e trupave], por me optimizim, ka të bëjë me ofrimin e sigurisë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, dhe më gjerësisht, të rajonit”.
Lidhur me njoftimin e 12 qershorit të NATO-s, REL ka kërkuar koment edhe nga Ministria e Mbrojtjes së Kosovës.“Sot, Kosova e ka ushtrinë e fortë, e ka policinë e aftë e së shpejti do ta ketë edhe xhandarmërinë, në mënyrë që të sigurojmë paqe, ta garantojmë stabilitetin institucional, t’i kontribuojmë sigurisë dhe stabilitetit rajonal e më gjerë, dhe të vazhdojmë me hapat tonë drejt integrimit në NATO e BE, dhe sundimi i ligjit dhe të drejtat për qytetarët të jenë kudo, përherë, për secilin”, tha ai..
REL ka dërguar pyetje edhe në Departamentin amerikan të Mbrojtjes për të kuptuar qëndrimin e SHBA-së për këtë vendim dhe nëse trupat amerikane do të jenë pjesë e planifikimeve të NATO-s për përshtatje të forcës në KFOR.
REL mëson se numri i trupave të KFOR-it pritet që gjatë vitit të ardhshëm të rikthehet në nivelet e para vitit 2023.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë është vendosur më 1999 në vend. Nga afër 50.000 trupa sa ishin dislokuar në atë vit, pas përfundimit të luftës, në Kosovë aktualisht janë rreth 4.600 trupa paqeruajtëse të KFOR-it nga shtete të ndryshme.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe Misionit për Sundim të Ligjit të Bashkimit Evropian, EULEX. Ky mision paqeruajtës po ashtu ka përgjegjësinë e sigurisë përgjatë kufirit të Kosovës me Serbinë.
“Teksa situata e sigurisë në Kosovë mbetet përgjithësisht stabile, NATO do të optimizojë praninë e KFOR-it dhe gradualisht do të përshtatë forcën e tij aktuale gjatë vitit të ardhshëm”, u tha në njoftimin e aleancës ushtarake perëndimore.
Ndryshimet do të ndodhin gradualisht në përputhje me kushtet në terren dhe ato mund të zhbëhen, nëse është e nevojshme, tha NATO.
Më 29 maj të vitit 2023, 93 pjesëtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime pas përleshjes me protestuesit serbë, të cilët po kundërshtonin marrjen e detyrës të kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe. Të lënduar nga kjo përplasje pati edhe në anën e protestuesve.
Përmes një zotimi të vitit 2013, Kosova nuk mund të dërgojë Forcën e Sigurisë së Kosovës – që është në proces të transformimit në ushtri – në veri, pa pëlqimin paraprak të misionit të KFOR-it.
Ky angazhim ishte dhënë përmes një letre që ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i kishte drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Ai mbetet në fuqi sot e kësaj dite, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.
Gjenerali Grynkewich po ashtu tha se NATO-ja është e përkushtuar për Ballkanin Perëndimor, të cilin e cilësoi si rajon me rëndësi strategjike për aleancën, siguria e të cilit, sipas tij, lidhet direkt me sigurinë e zonës euroatlantike, duke shtuar se NATO nuk do të lejojë që të ketë vakum të sigurisë”.