Shkruan Luan Rama
Edhe pse bashkëshkrimi i Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç në “Frankfurter Allgemeine Zeitung” përpiqet të shitet si një vizion i ri strategjik për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, në realitet, ai është një “dokument” i mbushur me kontradikta, shmangie të çështjeve thelbësore dhe, mbi të gjitha, është një riformulim i rrezikshëm i vetë idesë së integrimit.
Por, pas kësaj hyrjeje të kujdesshme, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç kalojnë në një propozim që e përmbys këtë logjikë nga brenda: një “integrim i përshpejtuar” në tregun e brendshëm dhe zonën Schengen, por pa të drejtë vetoje dhe pa përfaqësim të plotë.
Kur Kryeministri i Shqipërisë dhe Presidenti i Serbisë bashkëshkruajnë për “integrim të përshpejtuar… pa të drejta vetoje”, ata në fakt propozojnë një model ku vendet e rajonit marrin detyrimet, por jo të drejtat. Pra, një Evropë ku disa janë anëtarë të plotë dhe të tjerët pjesëmarrës të kufizuar.
Pyetja është e thjeshtë: a është ky integrimi për të cilin është punuar për dekada?
Heqja dorë nga këto parime nuk është pragmatizëm; është pranim i një inferioriteti të institucionalizuar.
Bashkëshkruesit deklarojnë se “perspektiva e anëtarësimit mbetet motori më i fortë për… pajtim”. Ky formulim shmang me kujdes realitetin më të ndjeshëm të rajonit: raportin mes Serbisë dhe Kosovës.
Pajtimi nuk ndodh në vakum dhe as me fjali diplomatike. Ai kërkon njohje, përgjegjësi dhe zgjidhje konkrete. Duke e anashkaluar këtë çështje, artikulli e redukton pajtimin në një klishe politike, duke i dhënë një imazh artificial harmonisë rajonale që në fakt nuk ekziston.
Zgjedhja e Edi Ramës për të qenë bashkëshkrues me Aleksandër Viçiçin dhe jo me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, është një akt politik në vetvete. Dhe ky akt ngre një pyetje thelbësore: pse mungon Kosova në një vizion që pretendon të përfaqësojë të ardhmen e rajonit?
Kosova është një nga vendet më pro-evropiane në Ballkan dhe një nga më të interesuarat për një proces të besueshëm integrimi.
Ndërkohë, bashkëautorësia me një lider që ende nuk e njeh Kosovën krijon një simetri të rreme politike. Ajo e paraqet Serbinë si bashkëformuluese të së ardhmes evropiane të rajonit, pa u përballur me përgjegjësitë e saj aktuale.
Besueshmëria e procesit të integrimit nuk ndërtohet duke thjeshtuar dallimet, por duke i adresuar ato.Por realiteti është më i ndërlikuar. Integrimi evropian nuk është një marrëveshje teknike që mund të riformulohet sipas nevojës politike të momentit. Ai është një proces që bazohet në parime: barazi, përfaqësim dhe standarde të përbashkëta. Ikja nga këto parime nuk e përshpejton integrimin, e deformon atë.
Dhe mbi të gjitha, për Shqipërinë, çdo vizion për të ardhmen e rajonit që nuk ecën në harmoni me Kosovën, nuk është vizion strategjik, është një gabim politik me pasoja afatgjata dhe në dëm të interesit kombëtar.