Sa herë që përballen me mungesë idesh për çështjet reale që prekin qytetarët, një pjesë e politikanëve serbë në Mal të Zi rikthehen te tema e Kosovës. Në vend që të ofrojnë zgjidhje për ekonominë, arsimin, shëndetësinë apo zhvillimin e vendit, ata vazhdojnë të përdorin Kosovën si mjet për mobilizimin e elektoratit dhe për fitime politike afatshkurtra.
Në këtë frymë, lideri i Partisë Demokratike Popullore (DNP), Milan Knezheviq, ka njoftuar se do të riaktualizojë iniciativën për tërheqjen e njohjes së Kosovës, këtë herë jo vetëm në komunën e Zetës, por edhe në nivel shtetëror, shkruan vijesti.me, transmeton KosovaPress.
Megjithatë, analistët politikë në Mal të Zi e shohin këtë veprim si një përpjekje për mobilizimin e votuesve para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Pedagogia universitare Nikoleta Djukanoviq vlerësoi se iniciativa përfaqëson vazhdimësinë e politikës së DNP-së, por njëkohësisht është edhe përpjekje për të aktivizuar elektoratin në prag të zgjedhjeve. Sipas saj, edhe vetë Knezheviq është i vetëdijshëm se nisma nuk ka gjasa reale të ketë sukses institucional.Edhe drejtoresha e Qendra për Gazetari Hulumtuese e Malit të Zi, Milka Tadiq Mijoviq, ishte kritike ndaj nismës. Ajo deklaroi se Knezheviq po merret me Kosovën sepse nuk ka zgjidhje për problemet reale të qytetarëve.
“Nuk është në gjendje të ofrojë program ekonomik apo reforma që do të përmirësonin arsimin, shëndetësinë apo mbrojtjen e mjedisit. Ai nuk ka asnjë propozim për zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme”, tha Tadiq-Mijoviq.