Në vlerë prej 2.4 milionë eurosh dhe gjatësi mbi 11 kilometra, kanë nisur punimet në rikonstruktimin e rrugës rajonale, segmenti Kijevë-Malishevë.
Në nisjen e këtyre punimeve ka marrë pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha.
“Ju e dini që janë bërë shumë përpjekje për të na i ndalur e ndaluar mandatin që na populli na i dha në masën më të madhe në Kosovën e pasluftës, por ne nuk i ndalim punët e reja, të mira, e gjithsesi të dobishme për qytetarët e Republikës. Me rindërtimin e rrugës Kijevë-Malishevë, si Qeveri e Kosovës po e bëjmë një investim tejet të rëndësishëm për banorët e Malishevës dhe të mbarë zonës së Llapushës dhe më gjerë. Kjo rrugë në tërësi ka gjatësi mbi 11 kilometra dhe është lidhje kyçe për Malishevën dhe pesë fshatra përgjatë kësaj rruge. Me ç’rast projekti përfshin rindërtimin e tërësishëm nga baza e deri te asfaltimi final. Edhe para luftës edhe pasluftës ka pasur vetëm harrnime të kësaj rruge, vetëm mirëmbajtje deri në prishje të radhës, deri në dëmtimin e ardhshëm por tash po e bëjmë rindërtimin e tërësishëm të kësaj rruge fort të vlefshme. Punimet që nisin përfshijnë një segment prej 8.5 kilometra, ndërkaq për pjesën e mbetur do të procedohet me aktivitetin e prokurimit së shpejti”, deklaroi Kurti.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha njoftoi se në këtë rrugë do të investohet në vlerë prej 2.4 milionë euro.