Osmani për aktgjykimin Banjska: Hapi i parë drejt drejtësisë, urdhërdhënës Vuçiq dhe ekzekutues Radoiçiq
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Osmani për aktgjykimin Banjska: Hapi i parë drejt drejtësisë, urdhërdhënës Vuçiq dhe ekzekutues Radoiçiq
Ish-presidentja, Vjosa Osmani, në lidhje me aktgjykimin dënues për rastin Banjska, tha se derisa nuk dorëzohet kryeterroristi serb Milan Radoiçiq me të tjerët, drejtësia asnjëherë nuk do të jetë e plotë.
Osmani pas vizitës në familjen Bunjaku, tha për KosovaPress se ky është vetëm hapi i parë drejt drejtësisë, duke theksuar se urdhërdhënësi i këtij akti terrorist ishte presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
“Është vetëm hapi i parë drejt drejtësisë, për shkak se urdhërdhënësi i aktit terrorist në Banjskë ka qenë Vuçiqi, ekzekutuesi kryesor ka qenë Radoiçiq me shumë terroristë të tjerë, prandaj përderisa nuk dorëzohet Radoiçiq dhe të tjerë që kanë ndihmuar në ekzekutimin e këtij akti të agresionit, drejtësia asnjëherë nuk do të jetë e plotë. Ky ishte hapi i parë, prandaj deshëm të jemi afër familjes që ka dhënë aq shumë historikisht e që sakrificën e fundit e ka pasur përmes heroit Afrim Bunjaku i cili e dëshmon se liria nuk është e mirëqenë”, tha Osmani.
Osmani tha se Bunjaku e ka mbrojtuar atdheun me jetë, andaj duhet punuar që amaneti i tij të vazhdohet në mbrojtje të vendit.
“Që si liria, ashtu edhe pavarësia e integriteti territorial i vendit tonë duhet gjithnjë të mbrohet me çdo kusht. Afrim Bunjaku e ka mbrojtur me jetë. Lavdi përjetë Afrim Bunjakut i lehtë i qofte dheu i Kosovës. Ne të gjithë bashkë duhet të punojmë që amaneti i tij të vazhdojë dhe ta mbrojmë Kosovën”, u shpreh Osmani.
Sot Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar tre të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023. Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq u dënuan me burg të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviq u dënua me 30 vite burgim.
Ky i fundit nuk u mirëprit nga familja Bunjaku të cilët u shpreh se ndjehen të fyer e të dëshpëruar. Ata kërkuan nga avokati i tyre të dërgohet një ankesë në Gjykatën e Apelit. Përveç kësaj, ata kërkojnë që sa më parë të sjellën para drejtësisë kryeterroristi Milan Radojcciq dhe pjesëtarët e tjerë të grupit.
Rikujtojmë se me 24 shator të 2023 në Banjskë të Zveccanit u vra nga një grup i armatosur serb rreshteri, heroi Afrim Bunjaku dhe disa zyrtarë policorë u lënduan.
Sipas aktakuzës, ata kanë kryer veprën penale “kryerja e veprës terroriste” dhe veprën penale “veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. Në aktakuzë thuhet se ky grup terrorist përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”. /A.Shala/
/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim.
Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.