Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e Parkut Industrial në Podujevë, investim mbi 3 milionë euro nga MINTI
Biznes
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e Parkut Industrial në Podujevë, investim mbi 3 milionë euro nga MINTI
MINTII20
20/07/2026 - 18:13
Linku u kopjua

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për ndërtimin e Parkut Industrial në fshatin Livadicë, një projekt strategjik që synon të krijojë kushte moderne për prodhim, investime dhe punësim në rajonin e Llapit.

Sipas njoftimit, Parku Industrial në Podujevë, i cili nisi si projekt ideor para dy vitesh, hyn në fazën e zbatimit pas përfundimit të përgatitjeve nga Komuna e Podujevës dhe tejkalimit të procedurave të nevojshme.

“Projekti do të financohet në tërësi nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, me një investim prej 3,118,295.56 euro. Komuna e Podujevës ka siguruar tokën dhe ka përfunduar studimin e fizibilitetit, duke krijuar kushtet për zhvillimin e parkut në një sipërfaqe prej 29 hektarësh, për të cilën tashmë është shprehur interes i madh nga bizneset”, thuhet në njoftim.

Sipas ministres Kusari-Lila, ky investim do të kontribuojë në forcimin e prodhimit vendor, krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Parku Industrial do të ndërtohet sipas parimeve të tranzicionit të gjelbër, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe me fokus në mbrojtjen e mjedisit. Kjo pritet t'u krijojë bizneseve kushte më të favorshme për zhvillim dhe qasje më të lehtë në fondet evropiane.

Parku Industrial në Podujevë është pjesë e vizionit të MINTI-t për ndërtimin e një rrjeti modern të parqeve industriale në mbarë Kosovën, me synim nxitjen e prodhimit, rritjen e eksporteve dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Ministria thekson se, përmes bashkëpunimit me komunat, po realizohen projekte që synojnë të tërheqin investime të reja, të krijojnë vende pune dhe të rrisin mirëqenien e qytetarëve.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026