Në 27-vjetorin e çlirimit, kërkohet trajtim më i thellë shkencor i historisë së rezistencës shqiptare
Lajme
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Në 27-vjetorin e çlirimit, kërkohet trajtim më i thellë shkencor i historisë së rezistencës shqiptare
Hajrullahu-instituti
04/06/2026 - 13:36
Linku u kopjua

Roli i heronjve dhe dëshmorëve në ndërtimin e lirisë së Kosovës, ruajtja e kujtesës kolektive dhe nevoja për trajtim të mirëfilltë shkencor të historisë së rezistencës shqiptare u theksuan në konferencën shkencore “Përjetësimi i heronjve dhe dëshmorëve kombëtarë për çështjen e Kosovës”, raporton KosovaPress.

Kjo konferencë është organizuar për nder të 27-vjetorit të çlirimit të Kosovës nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në bashkëpunim me Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Në seancën hapëse të konferencës, ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, tha se nderimi i heronjve dhe dëshmorëve nuk duhet të kufizohet vetëm në ceremoni përkujtimore, por të mbështetet edhe në hulumtime shkencore dhe dokumentim institucional.

Ai theksoi se kujtesa kolektive ruhet përmes dijes dhe kërkimit shkencor.

Çeku vlerësoi se rezistenca për lirinë e Kosovës ka qenë shumëdimensionale, duke përfshirë angazhimin ushtarak, politik, qytetar, diplomatik, intelektual dhe kulturor.

Ndërkaq, drejtoresha e Institutit të Historisë “Ali Hadri”, Teuta Shala Peli, tha se heronjtë dhe dëshmorët përbëjnë themelet mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.

Ajo theksoi se përjetësimi i veprës së tyre mbetet obligim institucional dhe moral.

Në seancën hapëse të kësaj konference, sekretari i Institutit të Historisë “Ali Hadri”, Arbër Hadri, foli për rrugëtimin historik të Kosovës drejt lirisë, duke vënë në pah sakrificat e brezave të tërë të veprimtarëve dhe luftëtarëve shqiptarë.

Ai tha se liria ka qenë ideal që ka mbajtur gjallë shpresën e shqiptarëve gjatë periudhave më të vështira të shtypjes.

Ai përmendi figura të rëndësishme të rezistencës kombëtare, si Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha dhe Enver Hadri, duke vlerësuar ndikimin e tyre në formësimin e vetëdijes çlirimtare që kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hadri theksoi se me daljen e UÇK-së në skenë, çështja e Kosovës fitoi trajtim më të madh ndërkombëtar, ndërsa sakrifica e familjes Jashari në mars të vitit 1998 u shndërrua në simbol të lirisë dhe rezistencës.

Në konferencë kumtoi edhe historiani nga Universiteti i Tetovës, Marenglen Verli, i cili trajtoi zhvillimet e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore.

Ai tha se shqiptarët e Kosovës, pavarësisht dallimeve politike të kohës, kishin si synim bashkimin me shtetin shqiptar, ndërsa pas luftës përpjekjet u orientuan drejt avancimit të statusit politik të Kosovës dhe ruajtjes së identitetit kombëtar brenda Jugosllavisë.

Sipas Verlit, vdekja e Tito-s shënoi një periudhë të re sfidash për shqiptarët, pasi kërkesat për avancimin e statusit të Kosovës u përballën me rritjen e nacionalizmit serb dhe politikat që kulmuan me ardhjen në pushtet të Slobodan Milošević.

Konferenca dyditore me 4 dhe 5 qershor po mbahet në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 27-vjetorit të çlirimit të Kosovës. Organizatorët njoftuan se aktivitetet për shënimin e kësaj dite do të vazhdojnë më 6 qershor me vizita në komplekset memoriale të heronjve dhe dëshmorëve të luftës, ndërsa më 12 qershor do të organizohet një tryezë shkencore në bashkëpunim me Bashkinë e Kukësit kushtuar eksodit të vitit 1999.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026