Kina dhe Rusia kanë përdorur të drejtën e tyre të vetos në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke hedhur poshtë një projektrezolutë të propozuar nga Bahreini mbi sigurinë dhe lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Gjatë seancës së zhvilluar të martën, drafti siguroi mbështetjen e shumicës me 11 vota pro dhe dy abstenime. Megjithatë, dy votat kundër nga Moska dhe Pekini zhvlerësuan nismën, për shkak të statusit të tyre si anëtarë të përhershëm me të drejtë vetoje.
Në përpjekjet e tyre të hershme, këto shtete kishin kërkuar nga Këshilli i Sigurimit autorizimin për ta hapur Ngushticën me forcë ushtarake. Për të shmangur bllokimin dhe për të gjetur konsensus, drafti përfundimtar ishte zhveshur nga çdo klauzolë që lejonte përdorimin e forcës, madje edhe për qëllime rreptësisht mbrojtëse. Pavarësisht këtyre kompromiseve thelbësore, rezoluta nuk arriti të kalojë murin e vetos ruso-kineze.