Mos kandidimi i kryetarëve aktualë për zgjedhjet lokale, reformim apo përplasje e brendshme?
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Mos kandidimi i kryetarëve aktualë për zgjedhjet lokale, reformim apo përplasje e brendshme?
zgjedhjet
02/08/2025 - 09:51
Linku u kopjua

Tradicionalisht, partitë politike në Kosovë kanë ri-kandiduar kryetarët e komunave në zgjedhje lokale, por kësaj radhe, derisa lokalet po afrojnë, dy prej partive kryesore, PDK dhe LDK, nuk kanë ri-kandiduar disa prej kryetarëve aktualë në komunat që udhëheqin.

PDK nuk ka ri-kandiduar katër kryetarë aktualë: Bedri Hamzën në Mitrovicë të Jugut, Ramiz Lladrovcin në Drenas, Fadil Nurën në Skenderaj dhe Besim Ilazin në Kaçanik, ndërsa LDK-ja nuk ka ri-kandiduar kryetarin aktual të Fushë Kosovës, Burim Berisha.

Këto zhvillime nga njohës të proceseve zgjedhore dhe analistë politikë shihen në dy këndvështrime - atë të përçarjeve të brendshme, si dhe tendencën për reformim dhe shtytjen e figurave të reja partiake para qytetarëve, shkruan KosovaPress.

Dy muaj para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, partitë politike kanë prezantuar kandidatët për kryetarë të komunave.

Për analisten politike, Magbule Shkodra, praktika e kaluar ka qenë që kryetarët aktualë që përfundojnë mandatin, e partitë punën e tyre e konsiderojnë të suksesshme, atëherë të njëjtit ri-kandidohen.

Sipas saj, në rastin e Drenasit, ku PDK-ja nuk ri-kandidoi kryetarin aktual, Ramiz Lladrovcin, mirëpo Petrit Hajdarin, tregon për përçarje të madhe atje.

Lladrovci ka bërë të ditur se do të kandidojë si kandidat i pavarur në Drenas, pasi PDK-ja nuk e ri-kandidoi atë edhe për një mandat.

Për hulumtuesin në KDI, Vullnet Bugaqku, në disa raste në PDK ku nuk janë ri-kandiduar kryetarët aktualë është vërejtur një lloj përplasjeje dhe mos dakordimi të brendshëm.

Megjithatë, ai thotë se në rastin e Burim Berishës në Fushë Kosovë, LDK-ja ka dashur të rifreskojë kandidaturën dhe të sjellë frymë të re, pasi i njëjti është kryetar i kësaj komune mbi katër mandate.

Sa i përket Mitrovicës, ai thotë se është vërejtur që kryetari aktual, Bedri Hamza, nuk ka pasur vullnet që të ri-kandidojë.

Për politologun Artan Muhaxhiri, është logjike mos kandidimi i kryetarëve aktualë në katër komuna që udhëhiqen nga PDK-ja.

Sipas tij, këto lëvizje bëhen që përmes reformimit të tentojnë të sjellin figura të reja, por edhe ri-konfirmim i figurave të vjetra që kanë fuqi politike, siç është rasti i kandidimit të Sami Lushtakut për kryetar të Skenderajt.

PDK në vend të kryetarëve aktualë ka kandiduar Petrit Hajdarin për kryetar të  Drenasit, Sami Lushtakun - Skenderaj, Arian Tahirin - Mitrovicë e Jugut, Sabedin Vishin – Kaçanik. Ndërkaq, LDK-ja ka kandiduar Besnik Osmanin për kryetar të Fushë Kosovës.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje në katër komunat që udhëheq që katër vjet – Podujevë, Gjilan, Shtime, Kamenicë – ka kandiduar kryetarët aktualë.

Po ashtu edhe AAK-ja ka kandiduar të gjithë kryetarët aktualë që veçse ka pushtetin në Deçan, Gjakovë, Suharekë, Rahovec dhe Klinë. Zgjedhjet e rregullta lokale në Kosovë mbahen më 12 tetor.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026