Morina për Messin: “Kapiteni është ura lidhëse mes trajnerit dhe ekipit”
Ndërkombëtar
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Morina për Messin: “Kapiteni është ura lidhëse mes trajnerit dhe ekipit”
New Project - 2026-07-19T150859.038
19/07/2026 - 15:09
Linku u kopjua

Në emisionin sportiv “SportCast” të KosovaPress, trajneri dhe analisti i njohur sportiv Arbnor Morina foli për rolin e kapitenit në një skuadër, duke marrë si shembull kapitenin e Argjentinës, Lionel Messin.

Sipas tij, përveç cilësive të jashtëzakonshme futbollistike, Messi dallohet edhe për lidershipin dhe mënyrën se si e vendos ekipin para interesit personal.

Morina vlerësoi se kapiteni ka një rol kyç në komunikimin mes trajnerit dhe futbollistëve, ndërsa theksoi se me një lojtar si Messi gjithçka bëhet më e lehtë.

Morina: “Kapiteni është ura lidhëse mes trajnerit dhe ekipit”

“Gjithmonë kapiteni i ekipit është ura lidhëse mes trajnerit dhe skuadrës. Ai i bart informacionet, komandon brenda fushës dhe është zëri i trajnerit te lojtarët. Kur ke të bësh me një futbollist si Messi, puna bëhet shumë më e lehtë, sepse shpeshherë vetëm me shikime lojtarët kuptohen mes vete dhe kuptohen edhe me trajnerin se çfarë kërkohet të shfaqet në lojë. Messi po tregohet një futbollist që nuk e shtyn ekipin të luajë për të, por e vendos veten në shërbim të ekipit. Ai është vërtet i paparashikueshëm për publikun, sepse e di saktësisht çfarë duhet të bëjë, në momentin e duhur, në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.”

Morina theksoi se lidershipi i Messit nuk matet vetëm me golat apo asistimet, por edhe me ndikimin që ka te bashkëlojtarët dhe aftësinë për ta udhëhequr skuadrën në momentet më të rëndësishme, duke e bërë atë një nga kapitenët më të kompletuar në futbollin botëror.

Ndërkohë, Messi do ta udhëheqë Argjentinën në finalen e tij të tretë në Kupën e Botës, ndërsa synon të shkruajë edhe një kapitull historik në karrierën e tij. Nëse Argjentina triumfon ndaj Spanjës, ai do të bëhet kapiteni i parë në histori që ngre dy herë trofeun e Kupës së Botës.

39-vjeçari është gjithashtu futbollisti me më së shumti paraqitje në histori të Botërorëve, ka regjistruar 12 asistime, më shumë se çdo lojtar tjetër, dhe ndodhet vetëm një gol larg rekordit absolut të golashënuesit më të mirë në historinë e Kupës së Botës.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026