Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) dhe në bashkëpunim me inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka intensifikuar kontrollet në tregun e produkteve të qumështit me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe rritjes së transparencës në treg.
Sipas njoftimit, në kuadër të inspektimeve të realizuara, janë kryer gjithsej 7 kontrolle në 4 qytete të ndryshme të Kosovës. Nga këto, 6 raste janë dërguar në procedurë, ndërsa 1 rast është mbyllur.
Në këtë kontekst, theksohet se: Çdo produkt duhet të ketë deklaracion të qartë, të lexueshëm dhe të dukshëm në gjuhët zyrtare, duke specifikuar saktë përbërjen e tij, përkatësisht nëse është: produkt me bazë shtazore (100%) (dairy), produkt me bazë bimore (plant-based), apo produkt me bazë të qumështit pluhur.
Sipas MINTI-it, subjektet që ushtrojnë shitje me pakicë janë të obliguara të sigurojnë ndarjen dhe prezantimin e qartë të produkteve në rafte, sipas kategorive përkatëse: produkte me bazë shtazore, produkte me bazë bimore, produkte me bazë të qumështit pluhur. MINTI, përmes IQMT-së, do të vazhdojë me intensifikimin e inspektimeve edhe në ditët në vijim, në përputhje me kompetencat ligjore për mbikëqyrjen e tregut, me qëllim të parandalimit të praktikave mashtruese dhe garantimit të informimit të drejtë për konsumatorët.“Njëkohësisht, ftohen të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të vazhdojnë të raportojnë çdo parregullsi të evidentuar në treg, përfshirë mungesën e klasifikimit apo deklarimit të qartë të përbërjes së produkteve, duke ofruar dëshmi përkatëse (si fotografi)”, thuhet në njoftim.