Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), njoftoi të martën se e ka gjobitur Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), pasi ka gjetur se ajo ka njehsorë elektrikë me afat të skaduar.
Në një njoftim për media, MINTI tha se ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 1.500 deri në 5.000 euro për secilin njehsor me afat të skaduar të vlefshmërisë.
Nw njwoftim thuhet se gjobat vijnë pasi Agjencia e Metrologjisë e kësaj Ministrie ka vërejtur se shpërndarësi i vetëm i rrymës në vend nuk e ka respektuar afatin e vlefshmërisë së njehsorëve elektrikë.
MINTI shtoi se Komisioni Verifikues për njehsorët elektrikë e ka shtuar veprimtarinë në terren pas ankesave të pranuara nga konsumatorët.MINTI bëri të ditur asokohe se gjetjet e para nga hetimet në terren kishin nxjerrë në pah se njehsorët e verifikuar kishin pasur afat të skaduar të vlefshmërisë, pasaktësi në ditë dhe në orë.
Ndërkohë, në fillim të prillit, Prokuroria Themelore në Prishtinë e autorizoi Policinë të kryejë hetime lidhur me dyshimet për parregullsi në njehsorët elektrikë të shpërndarësit të rrymës.