Më shumë se 800 zjarre pyjore vazhdojnë të digjen në Kanada, ndërsa tymi i tyre ka përkeqësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit në disa rajone të vendit dhe në veri të Shteteve të Bashkuara.
Autoritetet amerikane kanë lëshuar alarme për cilësinë e ajrit në disa shtete, duke u bërë thirrje banorëve të kufizojnë aktivitetet në ambiente të hapura.
Programi amerikan i Indeksit të Cilësisë së Ajrit ka klasifikuar cilësinë e ajrit si “të rrezikshme” në pjesë të shteteve të Miçiganit dhe Minesotës. Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së (NOAA) njoftoi se alarmet përfshijnë rajonin e Midwest-it të Sipërm, Liqenet e Mëdha dhe verilindjen e vendit.
Re të dendura tymi, të shkaktuara kryesisht nga zjarret në veriperëndim të Ontarios, kanë mbuluar qytete si Thunder Bay dhe Toronto, ndërsa tymi është përhapur edhe mbi Liqenet e Mëdha dhe deri në Nju Jork, duke krijuar qiell të mjegullt dhe duke rritur përqendrimin e ndotësve në ajër.Ndërkohë, erërat veriperëndimore pritet të vazhdojnë të transportojnë tymin drejt shteteve veriore të SHBA-së edhe gjatë fundjavës, me shqetësime se ai mund të ndikojë edhe në Neë Jersey, ku do të zhvillohet finalja e Kupës së Botës. Një ndryshim i drejtimit të erës në fillim të javës së ardhshme pritet të përmirësojë gradualisht cilësinë e ajrit në jug të kufirit.
Sipas kompanisë zvicerane të monitorimit të cilësisë së ajrit IQAir, qyteti i Detroitit aktualisht ka cilësinë më të keqe të ajrit në botë, i ndjekur nga Minneapolis dhe Toronto.
Përveç ndotjes së ajrit, zjarret kanë detyruar qindra banorë të komuniteteve indigjene të Kombeve të Para në Ontarion verior të evakuohen. Autoritetet lokale raportojnë dëme të konsiderueshme në banesa dhe ndërtesa, ndërsa një video e publikuar së fundmi tregoi një tren mallrash të rrethuar nga flakët në Ontario.