Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar një numër të konsiderueshëm parregullsish në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2025, duke konstatuar probleme në menaxhimin e pasurisë, raportimin financiar, pagesat, kontratat dhe zbatimin e rekomandimeve të mëhershme.
Një nga gjetjet kryesore lidhet me regjistrimin e pasurisë. Sipas auditorit, ministria kishte nënvlerësuar pasurinë për shkak të mosregjistrimit të një numri asetesh, përfshirë pajisje laboratorike, inventar shkollor, automjete zyrtare, smartboard-e dhe pajisje të tjera. Vetëm nga mosregjistrimi i plotë i pasurisë në dy raste është konstatuar nënvlerësim prej 6,710 eurosh. Gjithashtu, disa pajisje të teknologjisë informative ishin regjistruar dy herë, duke shkaktuar mbivlerësim të pasurisë prej 11,407 eurosh.
Probleme janë evidentuar edhe në raportimin e detyrimeve kontingjente. Sipas raportit, dy lëndë janë klasifikuar gabimisht si obligime të papaguara, duke rezultuar me mbivlerësim të obligimeve të papaguara dhe nënvlerësim të detyrimeve kontingjente për mbi 2.1 milionë euro.
Në fushën e prokurimit dhe menaxhimit të kontratave, auditimi ka konstatuar se ministria nuk ka përdorur sistemin e e-prokurimit për menaxhimin e kontratave, pavarësisht kërkesave ligjore dhe rekomandimeve të vazhdueshme të auditorit.Auditori ka gjetur gjithashtu vonesa në furnizimin me mallra. Në tri raste, me vlerë të përgjithshme prej 100,472 eurosh, mallrat janë dorëzuar nga 10 deri në 24 ditë pas afateve të përcaktuara në kontrata.
Një tjetër çështje e ngritur në raport lidhet me keqklasifikimin e shpenzimeve dhe mangësitë në kontrollin e brendshëm financiar, problematikë e cila sipas auditorit vazhdon të përsëritet edhe gjatë vitit 2025.
Raporti tregon se nga 15 rekomandimet e dhëna në auditimin paraprak, një pjesë mbeten ende të pazbatuara, përfshirë çështjet e menaxhimit të pasurisë, bartjes së objekteve në komuna, detyrimeve kontingjente, pagesave me vonesë dhe menaxhimit të kontratave.